Lideri Suprem: Regjimi izraelit 'i gjunjëzuar' nga Stuhia Al-Aksa e Hamasit
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i151860-lideri_suprem_regjimi_izraelit_'i_gjunjëzuar'_nga_stuhia_al_aksa_e_hamasit
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei tha se Izraeli u gjunjëzua në Operacionin Stuhia Al-Aksa, operacioni më i madh ushtarak nga grupet e rezistencës palestineze kundër regjimit pushtues sionist.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 22, 2023 14:54 Europe/Tirane
  • Lideri Suprem: Regjimi izraelit 'i gjunjëzuar' nga Stuhia Al-Aksa e Hamasit

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei tha se Izraeli u gjunjëzua në Operacionin Stuhia Al-Aksa, operacioni më i madh ushtarak nga grupet e rezistencës palestineze kundër regjimit pushtues sionist.

Ajetollah Khamenei i bëri komentet në një takim me një grup sportistësh iranianë, personalitete sportive dhe fitues të medaljeve që morën pjesë në Lojërat Aziatike 2023 në Hangzhou të Kinës.

“Nëse unë do t'ju ofroj një përmbledhje të zhvillimeve të fundit, mund t'ju them se regjimi sionist u rrëzua nga Stuhia Al-Aksa”, tha të mërkurën Lideri Suprem i Revolucionit Islamik.

“Hamasi, jo si një qeveri dhe vend me mundësi të bollshme, por si një grup luftarak, arriti t'i jepte një goditje nokaut sionistëve uzurpues të pajisur me armët më moderne".

Ajetollah Khamenei përshëndeti ata sportistë që shprehën mbështetjen e tyre për Palestinën dhe çështjen palestineze dhe u tërhoqën nga gara me përfaqësuesit e regjimit okupues sionist në turnetë ndërkombëtarë, duke thënë se vërtetësia e aktit të tyre tani është manifestuar më shumë se kurrë më parë në vazhdën e gjenocidit të Izraelit në Gaza.

“Sot, e gjithë bota e ka kuptuar pse sportisti iranian nuk pranon të përballet me palën sioniste në fushë. Sepse sportisti izraelit është kriminel dhe del në fushë për një shtet kriminal; prandaj ta ndihmosh atë është të ndihmosh një regjim terrorist dhe kriminal”, tha ai.

Duke theksuar se regjimi izraelit ende nuk po çlirohet nga barra dhe turpi i një disfate të rëndë pas Operacionit Stuhia Al-Aksa, Lideri Suprem tha: “Ata po demonstrojnë forcën; por ku? Kjo shfaqje e forcës nuk ka asnjë vlerë kur bëhet fjalë për sulmet mbi spitalet dhe pacientët në Gaza, mbi shkollat në Gaza, mbi kokat e njerëzve të pastrehë të Gazës".

Ajetollah Khamenei shtoi: “Është sikur një sportist humbet në fushë dhe më pas si hakmarrje për atë humbje, sulmon tifozët e ekipit kundërshtar”.

Duke treguar për bombardimet e pandërprera ndaj Gazës nga Izraeli gjatë 47 ditëve të fundit, Lideri Suprem tha: “Nuk ka asgjë më të turpshme se ajo që ka kryer regjimi sionist. Humbja e rëndë e regjimit sionist nuk do të kompensohet nga këto bombardime; fushata të tilla bombardimesh vetëm sa do t'ia shkurtojnë jetën regjimit pushtues dhe kjo tirani dhe mizori nuk do të mbeten pa përgjigje.”

Më tej në fjalimin e tij, Lideri i Revolucionit Islamik dënoi politizimin e sportit dhe qasjen me dy standarde nga disa organizata ndërkombëtare.

“Thonë se sporti nuk është politik, por kur duhet të politizojnë sportin, e politizojnë në mënyrën më të keqe. Me justifikimin më të vogël, një shteti i ndalohet pjesëmarrja në të gjitha ngjarjet sportive ndërkombëtare. Pse? Sepse ai lufton diku; por ata vetë i injorojnë 5000 fëmijët martirë në Gaza”, tha Ajetollah Khamenei.

Lideri Suprem theksoi se ata pezullojnë një vend me pretekstin e luftës, por injorojnë luftën e një vendi tjetër, krimet e luftës, madje edhe gjenocidin.