Irani: Ditë shumë të tmerrshme e presin Izraelin
(last modified Thu, 07 Dec 2023 06:58:10 GMT )
Dhjetor 07, 2023 07:58 Europe/Tirane
  • Irani: Ditë shumë të tmerrshme e presin Izraelin

Megjithë sulmet e vazhdueshme të regjimit izraelit kundër Rripit të Gazës, ministri i Jashtëm i Iranit tha se rezistenca palestineze me bazë në Gaza po i krijon agresorit kushtet gjithnjë e më të përkeqësuara të fushëbetejës.

Rezistenca deri më tani është përballur me agresionin e regjimit sionist me një përgjigje të fuqishme, tha Hossein Amir-Abdollahian në një telefonatë me homologun e tij katariot, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.

Duke pasur parasysh trendin aktual, ditët e ardhshme do të jenë të tmerrshme për forcat pushtuese izraelite, shtoi kryediplomati iranian.

Deklaratat e Amir-Abdollahian erdhën një ditë pasi Hamasi deklaroi se kishte përpunuar një plan të madh mbrojtës përballë sulmit izraelit.

"Ne jemi të sigurt se do të dalim fitimtarë nga kjo luftë," tha Ali Baraka, kreu i Marrëdhënieve ndërkombëtare të Hamasit, për uebsajtin e lajmeve al-Ahed të Libanit. Ai shtoi se ushtria izraelite kishte dështuar në mënyrë të dëshpëruar për të arritur ndonjë nga objektivat e saj të deklaruara, duke përfshirë shkatërrimin e Hamasit, lirimin e robërve izraelitë dhe zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza.

Gjithashtu, ministrat e Jashtëm të Iranit dhe të Katarit, dënuan krimet e regjimit sionist kundër grave dhe fëmijëve në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku ky regjim gjithashtu ka intensifikuar dhunën e tij vdekjeprurëse kundër palestinezëve.

Ata kërkuan veprim të shpejtë ndërkombëtar drejt ndërprerjes së menjëhershme të krimeve të luftës dhe gjenocidit të regjimit sionist kundër popullit palestinez dhe shkeljes flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe theksuan nevojën për transferim të gjerë të ndihmës humanitare për palestinezët.