Protesta para ambasadës britanike në Teheran
Një grup njerëzish dhe studentësh nga Teherani dënuan sulmin agresiv të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë ndaj Jemenit duke mbajtur një tubim para ambasadës së Londrës në Teheran.
Komanda e Forcave Ajrore të SHBA-së në një deklaratë njoftoi se sipas urdhrit të Shtabit të Komandës së Ushtrisë, Forcat Ajrore sulmuan më shumë se 60 objektiva në 16 qendra të Ushtrisë Kombëtare të Jemenit duke lëshuar 100 raketa të drejtuara. Për pasojë, pesë persona kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur. Këto sulme amerikane dhe britanike u pritën me reagimin dhe protestën e vendeve të ndryshme, duke përfshirë Republikën Islamike të Iranit, Rusinë, Kinën dhe Irakun, si dhe disa anëtarë të Kongresit Amerikan. Sipas IRNA, studentët në këtë tubim, duke deklaruar mbështetjen e tyre për popullin e shtypur të Gazës dhe solidaritetin me kombin heroik të Jemenit, theksuan se e drejta e kundërveprimit nga Ansarullah dhe ushtria jemenase është e rezervuar. Populli dhe studentët dënuan ashpër sulmin ajror amerikan dhe britanik në Jemen, i cili u krye me mbështetjen e një sërë vendesh të tjera dhe me ndihmën e disa sundimtarëve vasalë të rajonit. Përfaqësia i Iranit në Kombet e Bashkuara gjithashtu dënoi agresionin ushtarak kundër Jemenit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar dhe deklaroi: Veprimet e paligjshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk janë të autorizuara sipas ligjit ndërkombëtar. Edhe Nasser Kanani, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, dënoi ashpër sulmet ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar në disa qytete të Jemenit dhe e konsideroi atë një veprim arbitrar, një shkelje të qartë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit, si dhe shkelje e ligjeve dhe rregulloreve ndërkombëtare. Duke shprehur shqetësimin e tij për pasojat e përsëritjes së sulmeve të tilla arbitrare për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, Kanani i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që me reagime dhe veprime të përgjegjshme të parandalojë përhapjen e luftës, paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë në rajon. Në javët e kaluara, ushtria jemenase, në mbështetje të rezistencës së kombit palestinez në Rripin e Gazës, ka vënë në shënjestër disa anije të regjimit sionist ose anije që transportonin mallra për këtë regjim, të cilat ishin nisur për në territoret e pushtuara në Detin e Kuq, Oqeanin Indian dhe ngushticën Bab al-Mandab. Forcat e ushtrisë jemenase janë zotuar se do të vazhdojnë të sulmojnë anijet e këtij regjimi ose anijet e destinuara për në territoret e pushtuara në Detin e Kuq derisa regjimi izraelit të mos ndalojë sulmet e tij në Rripin e Gazës dhe vrasjen e njerëzve të këtij rajoni.