Irani fillon ndërtimin e një centrali bërthamor prej 15 miliardë dollarësh
Organizata e Energjisë Atomike e Iranit ka filluar punën për ndërtimin e një centrali të ri bërthamor në provincën bregdetare jugore të vendit, Hormozgan, me një investim prej 15 miliardë dollarësh.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi inauguroi projektin, të quajtur "Iran-Hormoz", përmes një video-konference. Mohamed Eslami, kreu i AEOI, dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë në ceremoninë në vendndodhjen e centralit në qytetin Sirik.
Termocentrali është një ndërmarrje e rëndësishme, që shërben si një infrastrukturë thelbësore për ekonominë dhe zhvillimin e vendit, tha Presidenti Raisi.
Duke vlerësuar përpjekjet e ekspertëve të aftë iranianë, ai shpresoi se projekti do të sillte prosperitet për njerëzit.
Ai vuri në dukje se projekti i ri ishte shumë më i madh se centrali bërthamor në Bushehr, një central 1000 MW i ndërtuar nga Rusia dhe i dorëzuar në shtator 2013 pas disa vitesh vonesë.
Mohamed Eslami, kreu i AEOI tha se projekti është pjesë e planeve kombëtare për të zhvilluar industrinë bërthamore të Iranit në dy dekadat e ardhshme.
Ai vuri në dukje se centrali Iran-Hormoz është projektuar të ketë një kapacitet gjenerues të energjisë elektrike prej 5,000 MW dhe do të përbëhet nga katër njësi pre 1,250 MW.
Ai tha se termocentrali i madh është në përputhje me zbatimin e planit të zhvillimit të bregdetit të Makranit.
“Deri në vitin 2041, ne duhet të arrijmë kapacitetin e prodhimit prej 20,000 megavatësh të energjisë elektrike me energji bërthamore, dhe realizimi i këtij qëllimi është marrë në konsideratë në bregdetin Makran të provincës Hormozgan”, tha shefi bërthamor i Iranit.
"Shpresohet se ky projekt do të përfundojë siç është planifikuar dhe koordinuar, si dhe në kohën e planifikuar", shtoi ai.