Irani: Sulmet e SHBA-së në Irak dhe Siri, gabim strategjik
Irani ka dënuar ashpër sulmet ajrore të SHBA-së në Irak dhe Siri, duke i quajtur ato një gabim strategjik dhe shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të dy vendeve, të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.
“Sulmi i mbrëmshëm në Siri dhe Irak është një akt aventuresk dhe një tjetër gabim strategjik i qeverisë amerikane, i cili nuk do të ketë asnjë rezultat tjetër përveç përshkallëzimit të tensionit dhe destabilitetit në rajon”, tha të shtunën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Naser Kanani.
Gjashtëmbëdhjetë njerëz u vranë, mes tyre civilë dhe 25 u plagosën në sulmet ajrore të SHBA-së gjatë natës së kaluar mbi objektivat në Irak, tha zyra e kryeministrit irakian Mohammed Shia al-Sudani.
Kanani dënoi “mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për katër muaj të sulmeve të pamëshirshme dhe brutale të regjimit sionist kundër banorëve të Gazës dhe Bregut Perëndimor, si dhe sulmet ushtarake ndaj Jemenit dhe shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të rajonit".
Sulmet ushtarake të SHBA-së ndaj Irakut, Sirisë dhe Jemenit thjesht u shërbejnë qëllimeve të regjimit izraelit, tha ai, duke shtuar se ato do të "implikojnë qeverinë amerikane në rajon më shumë se më parë dhe do të lënë në hije krimet e regjimit sionist në Gaza".
Kanani përsëriti paralajmërimin e Iranit për rrezikun e zgjerimit të fushës dhe gjeografisë së konfliktit në rajon dhe e quajti "vazhdimin e aventurave të tilla një kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare".
“Republika Islamike e Iranit përsërit përgjegjësinë e komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për parandalimin e sulmeve të paligjshme dhe të njëanshme të SHBA-së në rajon dhe zgjerimin e fushës së krizës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
“Siç ka theksuar vazhdimisht Republika Islamike e Iranit, rrënja e tensionit dhe krizës në rajon është pushtimi i Palestinës nga regjimi izraelit dhe vazhdimi i operacioneve të tij ushtarake në Gaza dhe gjenocidi ndaj palestinezëve me mbështetjen e pakufizuar të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
“Kthimi i stabilitetit dhe sigurisë në rajon nuk është i mundshëm, përveçse përmes fokusimit në rrënjën e krizës”, shtoi Kanani.