May 06, 2024 12:17 Europe/Tirane
  • Presidenti i Iranit: Ngjarjet në Gaza hoqën mbulesën nga fytyra e Perëndimit

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit tha se ngjarjet në Gaza hoqën mbulesën nga fytyra e perëndimorëve dhe e nxorën në pah konfliktin mes rrymës fisnike të klasës studentore të vetëdijesuar dhe rrymës së ligë të liderëve që shkelin ligjin, të drejtat dhe liritë e njeriut në Perëndim.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, Sejid Ebrahim Raisi, në mbledhjen e kabinetit qeveritar, shprehu keqardhjen e tij të thellë për atë që po ndodh ditëve të fundit në mjediset universitare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa vendeve perëndimore. Shkeljen e dinjitetit të studentëve, të profesorëve, të universiteteve, të qendrave kërkimore e shkencore, të lirisë së fjalës dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ai i përshkroi si tragjedi që ia zbuluan botës fytyrën e vërtetë të qytetërimit perëndimor dhe vërtetuan vërtetësinë e qëndrimeve të Iranit se pretendimet e Perëndimit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut janë të rreme.

Raisi deklaroi se perëndimorët janë pozicionuar si mbrojtës të këtyre vlerave duke fshehur fytyrën e tyre autokratike dhe kundërshtare të të drejtave të njeriut pas parullave mashtruese dhe shtoi se ngjarjet në Gaza e hoqën mbulesën nga kjo fytyrë e perëndimorëve dhe se prania dhe qëndresa e vetëdijshme e studentëve amerikanë dhe perëndimorë do të të ketë një ndriçim efektiv kundër krimeve të regjimit sionist dhe mbështetjes së Amerikës.

Gjithashtu, presidenti i Republikës Islamike të Iranit duke vënë në dukje qasjet mbështetëse të lëvizjes shkencore dhe kulturore të Iranit kundër lëvizjeve anti-sioniste, shtoi se mesazhi i solidaritetit dhe mbështetjes së studentëve dhe profesorëve iranianë për lëvizjen e fundit të studentëve dhe profesorëve amerikanë dhe perëndimorë do t'i bëjë ata më të palëkundur në mbrojtjen e të drejtave të kombit të shtypur e të paepur palestinez.

Protestat masive studentore kundër vrasjes së banorëve të Gazës nga regjimi i rremë izraelit filluan në Universitetin e Kolumbias në fund të javës së kaluar dhe tani studentë nga universitete të tjera amerikane, duke përfshirë atë të Bostonit, Harvardit dhe Universitetin Shtetëror të Ohajos, po bëjnë thirrje për protesta në mbështetje të Palestinës duke u solidarizuar me universitetet e tjera.

 

Tags