Irani dënon sanksionet e Australisë kundër autoriteteve të Republikës Islamike
Ministria e Punëve të Jashtme të Iranit nëpërmjet publikimit të një deklarate ka dënuar ashpër veprimin e regjimit australian në vendosjen e sanksioneve ndaj disa zyrtarëve dhe institucioneve qeverisëse të Republikës Islamike të Iranit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme që u publikua të martën mbrëma, më 25 maj, thuhet: "Heshtja e Australisë dhe e partnerëve të saj lidhur me veprimin agresiv dhe shkeljen e ligjeve dhe të drejtave ndërkombëtare nga regjimi sionist në sulmin ndaj selisë diplomatike të Republikës Islamike të Iranit dhe pozicioni i këtyre vendeve në lidhje me veprimin legjitim të Iranit kundër këtij regjimi në kuadrin e të drejtës së natyrshme të vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfaqësojnë më së miri qasjen e dyfishtë të Australisë dhe partnerëve të saj perëndimorë karshi zhvillimeve rajonale."
Në këtë deklaratë thuhet: "Qasja e dyfishtë e Australisë dhe partnerëve të saj në përzgjedhjen selektive të normave ndërkombëtare, jo vetëm që nuk ndihmon në uljen e destabilitetit në rajon, përkundrazi, duke heshtur kundër sulmit të regjimit sionist ndaj vendeve diplomatike, i sigurojnë atij armë për vrasjen brutale të popullit të pambrojtur të Gazës, e inkurajojnë regjimin izraelit të shkelë rregullat ndërkombëtare e të kryejë më shumë krime lufte dhe e çon rajonin drejt destabilitetit."
Ministria e Punëve të Jashtme, në deklaratë shtoi: "Shkaku kryesor i tensionit dhe i pasigurisë në rajon është qasja kriminale e regjimit sionist në vrasjen e popullit palestinez dhe mbështetja e pakursyeshme e koalicionit të mbrapshtë, përfshirë Australinë, ndaj këtij regjimi. Republika Islamike e Iranit e dënon ashpër qasjen e paligjshme të përdorimit të sanksioneve nga Australia dhe pasimin që i bën Uashingtonit, dhe rezervon të drejtën e vet për të vepruar në mënyrë reciproke."