Sejid Ebrahim Raisi, shërbëtori i kombit të Iranit, ra dëshmor
Ajetollah Sejid Ebrahim Raisi, Presidenti i Republikës Islamike të Iranit dhe shërbëtori i kombit iranian, së bashku me delegacionin e tij, arritën statusin e lartë të dëshmorit.
Sipas agjencisë së lajmeve të Radio-Televizionit të Republikës Islamike të Iranit, helikopteri që transportonte Ajetollah Sejid Ebrahim Raisin, Presidentin e Republikës Islamike të Iranit, i cili shkoi dje në provincën Azerbajxhani Lindor për të vizituar Digën "Khoda Aferin" dhe për të inauguruar Digën "Kiz Kalasi", ndërsa largohej nga kjo digë, për shkak të kushteve të pafavorshme të motit ka pësuar një aksident në zonën pyjore Dizmar.
Kushtet e vështira të motit e kishin vështirësuar identifikimin e vendit ku ndodhi aksidenti, ndaj dhe puna e ekipeve të shpëtimit për të mbërritur në zonë u shoqërua me vështirësi të shumta.
Më në fund, këtë mëngjes, grupet e ndihmës së emergjencës, grupe popullore dhe grupet e shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe, zbuluan vendin e helikopterit të rrëzuar duke përdorur dronët gjurmues iranianë.
Në këtë aksident mbetën të martirizuar z. Ebrahim Raisi, Presidenti i Republikës Islamike të Iranit dhe shoqëruesit e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit z. Hossein Amir-Abdullahian, Guvernatori i Provincës së Azerbajxhanit Lindor z. Malek Rahmati, Imami i Xhumasë të Tabrizit Ajetollah Sejed Muhamed Ali Al-e Hashim, gjithashtu edhe shefi i ekipit të mbrojtjes së Presidentit, pilotët dhe ekuipazhi i fluturimit të helikopterit.
Pas këtij aksidenti, kabineti qeveritar ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme paraditen e sotme. Kabineti qeveritar do të informojë kombin e madh të Iranit për kohën dhe vendin e saktë të ceremonisë së lamtumirës për trupin e Presidentit dëshmor dhe të dëshmorëve që e shoqëronin atë.