Lideri Suprem emëron Mohammad Mokhber si kreun e Ekzekutivit të Iranit
(last modified Mon, 20 May 2024 18:48:47 GMT )
May 20, 2024 20:48 Europe/Tirane
  • Lideri Suprem emëron Mohammad Mokhber si kreun e Ekzekutivit të Iranit

Lideri Suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, Ajetollah Khamenei, ka emëruar zv/presidentin iranian Mohammad Mokhber si kreun e Ekzekutivit të Iranit.

Lideri Suprem njoftoi emërimin të hënën, një ditë pasi Presidenti Ebrahim Raisi dhe ekipi i tij shoqërues u martirizuan pas rrëzimit të helikopterit të tyre në provincën veriperëndimore të Azerbajxhanit Lindor.

Ajetollah Khamenei publikoi një mesazh ngushëllimi, në të cilin tha se Mokhber do të marrë drejtimin e Ekzekutivit bazuar në nenin 131 të Kushtetutës iraniane. Ai gjithashtu ngarkoi z. Mokhber dhe shefin e Gjyqësorit dhe kryetarin e Parlamentit, që të përgatiteshin për të organizuar zgjedhjet për të zgjedhur një president të ri brenda 50 ditëve.

Në një takim urgjent të kabinetit qeveritar të hënën, Mokhber u bëri thirrje anëtarëve të kabinetit që ashtu si më parë të vazhdojnë të punojnë me besim dhe fuqishëm për t'i shërbyer popullit.

Ndërkohë, Zëvendëspresidenti për Çështjet Ekzekutive, Mohsen Mansouri, tha se e mërkura do të jetë e lirë në të gjithë vendin për kortezhin e varrimit të Presidentit Ebrahim Raisi dhe ekipit të tij shoqërues, të cilët humbën jetën në një aksident ajror të dielën.

Ai vuri në dukje se të enjten do të mbahet ceremonia e  varrimit të presidentit Raisi në provincën e Khorasanit Jugor dhe ai do të prehet në qytetin e tij të lindjes Mashhad në të njëjtën ditë.

Lideri suprem Ajetollah Khamenei të mërkurën do të falë namazin mbi trupin e presidentit dhe dëshmorëve të tjerë në Teheran.

Një ceremoni është duke u zhvilluar aktualisht në qendër të Teheranit, ku një turmë e madhe njerëzish po vajtojnë martirizimin e presidentit Raisi.