Irani thekson domosdoshmërinë e mbajtjes së një referendumi në Palestinë
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit tha: "Zgjidhja më efektive për t'i dhënë fund situatës aktuale të paligjshme në Palestinën e pushtuar është mbajtja e një referendumi gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e të gjithë banorëve dhe qytetarëve autoktonë të kësaj toke."
Duke iu referuar opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me veprimet e regjimit sionist që shkelin të drejtën ndërkombëtare, përfshirë pushtimin e paligjshëm të tokës palestineze dhe ndërtimin e vendbanimeve në këtë tokë, si dhe shkeljen e të drejtës së popullit palestinez për ushtrimin e sovranitetit mbi burimet e saj natyrore, Naser Kan'ani theksoi nevojën për të kompensuar dëmet e theksuara për palestinezët.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Naser Kan'ani deklaroi: "Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera gjatë viteve të fundit në Palestinë, veçanërisht në Gaza, kanë çuar në shkelje të vazhdueshme të së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje."
Duke iu referuar njohjes së qindra rezolutave dhe dokumenteve ndërkombëtare për të drejtën e popullit të shtypur palestinez, Kan'ani tha: "Pritet që komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të ndërmarrë hapa praktike dhe t'u kërkojë llogari krerëve të regjimit sionist, t'i japë fund agresionit të regjimit sionist kundër popullit palestinez si dhe pushtimit të paligjshëm të tokës së Palestinës nga ana e këtij regjimi."
Duke iu referuar qëndrimeve të shpallura nga delegacioni iranian gjatë seancave dëgjimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, zëdhënësi i institucionit më të lartë diplomatik iranian theksoi: "Zgjidhja më efektive për t'i dhënë fund situatës aktuale të paligjshme në Palestinën e pushtuar është realizimi praktik i idesë progresive të Republikës Islamike të Iranit për mbajtjen e një referendumi gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e të gjithë banorëve dhe qytetarëve autoktonë të Palestinës, duke përfshirë myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët."