Korrik 30, 2024 18:36 Europe/Tirane

Presidenti i 9-të i Republikës së Iranit ka bërë betimin para përfaqësuesve të Parlamentit Islamik gjatë ceremonisë së inaugurimit të mandatit të 14-të të Presidencës.

Ceremonia e 14-të e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkian, është mbajtur sot, të martën (më 30 korrik) në Parlamentin Islamik.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Masoud Pezeshkian, presidenti i 9-të i Republikës Islamike të Iranit, bëri betimin para deputetëve të Parlamentit në ceremoninë e 14-të të betimit sipas nenit 121 të Kushtetutës, për të përdorur të gjitha aftësitë dhe kompetencat e tij në përmbushjen e përgjegjësive që i janë besuar.

Pezeshkian tha: "Si President, në prani të Kur'anit të Shenjtë dhe para kombit iranian, betohem në Zotin e Madhërishëm se do të jem rojtar i fesë zyrtare, i sistemit të Republikës Islamike dhe i Kushtetutës së vendit; se do të përdor të gjitha aftësitë dhe kompetencat e mia për të përmbushur përgjegjësitë që kam marrë përsipër; se do t'i përkushtohem shërbimit të popullit dhe ngritjes së kombit, promovimit të fesë dhe moralit, mbështetjes së të drejtës dhe zgjerimit të drejtësisë; se do t'i shmangem çdo lloji autokracie dhe se do të mbroj lirinë dhe dinjitetin e individëve si dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë për kombin."

Presidenti i ri i Iranit, më tej theksoi: "Nuk do të kursej kurrfarë mase për të mbrojtur kufijtë dhe pavarësinë politike, ekonomike dhe kulturore të vendit."

Në ceremoninë e inaugurimit të mandatit të 14-të të presidencës së Iranit, në sallën e Parlamentit Islamik ishin të pranishëm kreu i Gjyqësorit, kreu i Këshillit për Përcaktimin e Interesave të Shtetit, zyrtarë shtetërorë dhe ushtarakë, disa ambasadorë, të ftuar të huaj të përbërë nga presidentë, zëvendëspresidentë, ministra të punëve të jashtme, kryetarë parlamentesh, nënkryetarë parlamentesh, deputetë dhe të dërguar specialë të vendeve të ftuara në ceremoni.

Të dielën, më 28 korrik, ceremonia e marrjes në dorëzim të detyrës së presidentit të ri të Iranit u mbajt nga Lideri Suprem i Revolucionit dhe në prani të zyrtarëve të tjerë shtetërorë e ushtarakë si dhe ambasadorëve të huaj.

 

 

Tags