Ghalibaf: Irani mbështet çdo vendim të popullit dhe të qeverisë libaneze
(last modified Wed, 16 Oct 2024 09:14:26 GMT )
Tetor 16, 2024 11:14 Europe/Tirane
  • Ghalibaf: Irani mbështet çdo vendim të popullit dhe të qeverisë libaneze

Kryetari i Parlamentit të Iranit tha: "Republika Islamike e Iranit mbështet çfarëdo vendimi që të marrë populli dhe qeveria libaneze".

Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Mohammad Baker Ghalibaf, të martën në mbrëmje, pasi u kthye nga Gjeneva, duke shpjeguar arritjet e pjesëmarrjes në takimin e Unionit Ndërparlamentar (IPU), shtoi: "Gjatë udhëtimit tim në Bejrut, unë përçova mesazhin e mbështetjes së Iranit për popullin trim të Gazës dhe të Libanit, dhe çfarëdo vendimi që të marrë populli dhe qeveria libaneze, Republika Islamike e Iranit e mbështet atë."

Ghalibaf vijoi më tej: "Megjithë martirizimin e komandantëve të mëdhenj si Seyed Hasan Nasrullah, Fronti i Rezistencës e ka rimëkëmbur veten me një shpejtësi të pabesueshme."

Ai vuri në dukje: "Të gjitha përpjekjet tona në Gjenevë ishin që të përçojmë zërin e popujve të shtypur të Palestinës dhe të Libanit në botë."

Të shtunën pasdite, më 12 tetor, pas vizitës në Liban dhe takimit me zyrtarët e lartë të këtij vendi, Kryetari i Parlamentit të Iranit u nis për në Gjenevë për të marrë pjesë në takimin e Unionit Ndërparlamentar (IPU).

Gjatë këtij udhëtimi, Ghalibaf mbajti një fjalim në Asamblenë e 149-të Ndërkombëtare të Unionit Ndërparlamentar Botëror (IPU) dhe Asamblenë e Unionit Ndërparlamentar të Vendeve Islame (PUIC) dhe gjithashtu u takua e diskutoi me kryetarët e Kuvendeve Kombëtare (parlamenteve) të Emirateve të Bashkuara Arabe, Algjerisë, Azerbajxhanit, Irakut, Turqisë dhe Zimbabvesë, si dhe me presidentin e radhës të Unionit Ndërparlamentar (IPU).

Duke komentuar temën kryesore të këtij sesioni të samitit, e cila kishte të bënte me përdorimin e inteligjencës artificiale, kreu i legjislativit iranian e vuri në qendër të fjalimeve dhe takimeve të tij çështjen e krimeve të regjimit sionist në Palestinë dhe në Liban dhe kërkoi nga parlamentet e vendeve pjesëmarrëse të marrin masa kundër krimeve të këtij regjimi dhe të hapin një rrugë të sigurt për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e shkatërruara nga lufta.