Presidenti Pezeshkian: Irani duhet të përmirësojë marrëdhëniet e tij me jashtë
(last modified Tue, 12 Nov 2024 19:00:23 GMT )
Nëntor 12, 2024 20:00 Europe/Tirane
  • Presidenti Pezeshkian: Irani duhet të përmirësojë marrëdhëniet e tij me jashtë

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Irani duhet të përmirësojë marrëdhëniet e tij me vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të avancojë zhvillimin e tij në vend.

Duke folur të martën në një takim me ish-ministrat e jashtëm të Iranit, Presidenti Pezeshkian theksoi nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të krijuar një mjedis të favorshëm për ndërveprimet me vendet rajonale dhe globale.

Pezeshkian tha se në kohën e shkurtër që kur administrata e tij mori detyrën janë bërë përpjekje të rëndësishme për të adresuar sfida të ndryshme të politikës së jashtme.

“Aktualisht marrëdhëniet tona me vendet fqinje janë të kënaqshme dhe kemi arritur marrëveshje gjatë takimeve dhe diskutimeve të fundit”, theksoi ai.

Pezeshkian tha se administrata e tij po kërkonte të zgjeronte marrëdhëniet me të gjitha vendet, përfshirë vendet evropiane.

Ai shpjegoi se negociatat me vendet evropiane janë në vazhdim, por shprehu shqetësimin për problemet e fundit të shkaktuara nga aventurizmi i regjimit izraelit.

Presidenti iranian pranoi gjithashtu se Teherani do të duhet të merret vesh me Uashingtonin në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Duam apo s’duam, do të na duhet të merremi vesh me SHBA-në në arenën rajonale dhe ndërkombëtare, ndaj është më mirë ta menaxhojmë vetë këtë marrëdhënie”, tha Pezeshkian.

Megjithatë, ai shtoi se administrata e tij do të ndjekë punët e jashtme brenda kornizës së makro strategjive dhe qasjeve të Republikës Islamike.