Araghchi: Paaftësia e ushtrisë siriane dhe shpejtësia e zhvillimeve ishin befasuese
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i165584-araghchi_paaftësia_e_ushtrisë_siriane_dhe_shpejtësia_e_zhvillimeve_ishin_befasuese
Lidhur me zhvillimet në Siri, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit tha: "Në rastin e Sirisë dhe rënies së qeverisë së Bashar al-Asadit, ajo që ishte befasuese ishte paaftësia e ushtrisë siriane për t'u përballur me grupet e armatosura dhe së dyti, shpejtësia e zhvillimeve, e cila ishte e papritur.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 09, 2024 07:18 Europe/Tirane
  • Araghchi: Paaftësia e ushtrisë siriane dhe shpejtësia e zhvillimeve ishin befasuese

Lidhur me zhvillimet në Siri, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit tha: "Në rastin e Sirisë dhe rënies së qeverisë së Bashar al-Asadit, ajo që ishte befasuese ishte paaftësia e ushtrisë siriane për t'u përballur me grupet e armatosura dhe së dyti, shpejtësia e zhvillimeve, e cila ishte e papritur.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Sejed Abbas Araghchi, mbrëmë, në një intervistë të posaçme për zhvillimet në Siri, tha: "Mendoj se gjithçka është e qartë. Analizat dhe lajmet tregonin se një lëvizje e tillë do të ndodhte. Ne ishim në dijeni të zhvillimeve dhe lëvizjeve në Idlib, ishte në dijeni edhe qeveria siriane dhe ne i kishim dhënë qeverisë dhe ushtrisë siriane informacione lidhur me këtë çështje."

Ai vazhdoi: "Ajo që ishte befasuese ishte paaftësia e ushtrisë siriane për t'iu kundërvënë kësaj lëvizjeje dhe shpejtësia e zhvillimeve në Siri. Në një takim që unë dhe z. Larixhani kishim me z. Bashar al-Asad, vetë ai ishte i habitur me efektivitetin e ushtrisë dhe ankohej për të dhe ishte e qartë se as qeveria siriane nuk kishte ndonjë analizë të drejtë rreth gjendjes së ushtrisë siriane. Mendoj se ushtria siriane ishte më shumë e përfshirë në luftën psikologjike se sa në luftën në terren. Propaganda dhe krijimi i atmosferës që bëhej në hapësirën virtuale etj., ishin efektive në uljen e motivimeve të ushtrisë siriane."

Araghchi vazhdoi: "Dyzet vjet marrëdhënie midis Iranit dhe Sirisë kanë qenë në tre fusha të ndryshme. Njëra është se Siria ishte në sinkron me Boshtin e Rezistencës dhe Republikën Islamike të Iranit, dhe që nga fillimi i luftës së imponuar, qeveria siriane kishte një marrëdhënie të ngushtë me ne dhe na mbështeste. Edhe ne e kemi mbështetur gjithmonë Sirinë, si një anëtare shumë të rëndësishme në fushën e rezistencës."

Ai sqaroi: "Fusha e dytë në të cilën bashkëpunuam dhe mbështetëm Sirinë ishte lufta kundër ISIS-it. Ne dërguam trupa në Siri, bashkuam forcat me ushtrinë siriane dhe arritëm të mposhtim ISIS-in. Ishte e vërtetë që nëse nuk do të luftonim kundër ISIS-it në Irak dhe Siri, duhet të luftonim në territorin tonë."

Araghchi, duke sqaruar se fusha e tretë e mbështetjes së Iranit për Sirinë lidhej me marrëdhëniet midis qeverisë siriane dhe popullit e kundërshtarëve të saj, tha: "Irani e ka inkurajuar gjithmonë qeverinë e al-Asadit që të angazhohet në dialog dhe ndërveprim me grupet opozitare dhe të përpiqej të ndërmerrte reforma në lidhje me ta. Ata duhej të përfshiheshin në qeveri, por qeveria e Bashar al-Asad tregoi pak fleksibilitet dhe pak shpejtësi në këtë drejtim."

Gjithashtu, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me ndërveprimin e Iranit me grupet e armatosura siriane që aktualisht janë të vendosura në Damask, Araghchi tha: "Ne po i monitorojmë nga afër zhvillimet në Siri. Ndërveprimi ynë me ta do të varet nga sjellja e tyre, se çfarë politike do të ndërmarrin në raport me Republikën Islamike të Iranit dhe në raport me shiitët e Sirisë, cila do të jetë distanca midis tyre dhe regjimit sionist, cila do të jetë distanca midis deklaratave të tyre dhe ato të grupeve terroriste. Ne do t'i vërejmë të gjitha këto dhe bazuar në atë sjellje, ne do të formësojmë qasjen tonë."