Pezeshkian i shpreh ngushëllime Aliyevit për aksidentin ajror
Masoud Pezeshkian, Presidenti i Republikës Islame të Iranit, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev, për t’i shprehur ngushëllimet për aksidentin tragjik ajror që ndodhi së fundmi.
Një avion i linjës ajrore azerbajxhanase me 67 pasagjerë ka pësuar një aksident të mërkurën në perëndim të Kazakistanit, afër qytetit Aktau, duke shkaktuar të paktën 38 viktima dhe duke lënë 29 të mbijetuar.
Në lidhje me aksidentin ajror, Pezeshkian i shprehu ngushëllimet Presidentit të Azerbajxhanit dhe familjeve të viktimave, duke i uruar një shërim të shpejtë të të plagosurve.
Gjatë bisedës telefonike, Pezeshkian e ftoi Aliyevin të realizojë një vizitë shtetërore në Teheran në të ardhmen e afërt.
Ai theksoi gjithashtu interesin e Iranit për të thelluar më tej marrëdhëniet diplomatike me Azerbajxhanin.