Irani anëtarësohet si vëzhgues i Bashkimit Ekonomik të Euroazisë
Republika Islamike e Iranit ka marrë zyrtarisht statusin e anëtarit vëzhgues në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë. Sipas agjencisë së lajmeve IRIB, gjatë një samiti të liderëve të Bashkimit Ekonomik të Euroazisë të enjten, liderët e këtij bashkimi ranë dakord që Iranit t'i jepet statusi i vëzhguesit.
Gjithashtu, u miratua marrëveshja për krijimin e një zone të tregtisë së lirë mes Bashkimit Ekonomik të Euroazisë dhe Iranit. Me nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë, tarifa doganore për më shumë se 900 artikuj eksportues të Iranit për pesë vendet anëtare të këtij bashkimi do të ulet në zero ose afër zeros.
Tashmë, me praninë e Iranit si vëzhgues në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë, dyert e tregut të madh prej 800 miliardë dollarësh janë hapur për tregtarët dhe biznesmenët iranianë.
Seyed Mohammad Atabak, ministri i Industrisë, Minierave dhe Tregtisë i Republikës Islamike të Iranit, i cili udhëtoi për në San Petersburg për të marrë statusin e anëtarit vëzhgues të vendit, e cilësoi përpjekjen e qeverisë së 14-të si një mundësi për të përmirësuar gjendjen e ekonomisë dhe zhvilluar marrëdhëniet me fqinjët.
Hyrja në tregje të reja, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Armeninë dhe Kirgizistanin, është një nga përfitimet e anëtarësimit të Iranit në Bashkimin Ekonomik të Euroazisë dhe kjo mund të shërbejë si mundësi për eksportin e mallrave dhe shërbimeve iraniane.