Irani dhe Rusia do të nënshkruajnë marrëveshje strategjike të premten
Irani dhe Rusia kanë planifikuar që të premten të nënshkruajnë një marrëveshje të shumëpritur të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik si pjesë e një vizite në Moskë nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian, tha Kremlini zyrtar.
“Më 17 janar, Vladimir Putin do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Republikës Islamike të Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili do të vijë në Rusi për një vizitë zyrtare”, tha Kremlini në një deklaratë të hënën.
Në deklaratë shtohet se krahas nënshkrimit të marrëveshjes, të dy presidentët do të diskutojnë "perspektivat për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë tregtinë dhe investimet, transportin dhe logjistikën dhe sferën humanitare, si dhe çështje aktuale në axhendën rajonale dhe ndërkombëtare", njoftoi Kremlini.
Irani dhe Rusia kishin planifikuar më herët të nënshkruanin marrëveshjen historike në margjinat e një Samiti të BRICS, i cili u mbajt në Kazan, Rusi, në fund të tetorit 2024, por më pas ata e shtynë nënshkrimin kurse ambasadori i Iranit në Moskë Kazam Jalali tha se të dy vendet kishin vendosur të nënshkruajnë marrëveshjen në një takim dypalësh pasi ata besonin se madhështia e marrëveshjes do të errësohej nga një samit shumëpalësh i BRICS në Kazan.