Nënshkruhet Traktati i Përbashkët Gjithëpërfshirës Strategjik ndërmjet Iranit dhe Rusisë
Presidentët e Iranit dhe Rusisë, Masoud Pezeshkian dhe Vladimir Putin, të premten pasdite, më 17 janar, në një ceremoni në Pallatin e Kremlinit, nënshkruan Traktatin e Përbashkët Gjithëpërfshirës Strategjik të të dy vendeve.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, në këtë ceremoni, e cila u mbajt në përfundim të negociatave të delegacioneve të nivelit të lartë të Republikës Islamike të Iranit dhe Federatës Ruse nën kryesimin e presidentëve të dy vendeve, Teherani dhe Moska theksuan vendosmërinë e tyre për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në formën e një dokumenti të ri.
Në këtë ceremoni, Vladimir Putin iu referua "Traktatit të Partneritetit Strategjik Gjithëpërfshirës" si një "progres i vërtetë" për rajonin dhe Masoud Pezeshkian gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet "jetike, të ndjeshme dhe strategjike" midis dy vendeve.
Me nënshkrimin e këtij traktati, të dy vendet, Irani dhe Rusia do t'i zgjerojnë në mënyrë të veçantë marrëdhëniet e tyre në fushat ekonomike, shkencore, teknologjike, kulturore dhe turistike.
Traktati i ri për bashkëpunimet strategjike Iran-Rusi, i cili është rezultat i rreth tre viteve negociatash dhe shkëmbimesh midis autoriteteve të Teheranit dhe Moskës, mbulon të gjitha aspektet e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe u kushton vëmendje të veçantë tre fushave kryesore: bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit shkencor e teknologjik, si dhe bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit.
Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e tregtisë ndërkombëtare dhe energjisë, bashkëpunimi në fushën e teknologjisë, veçanërisht teknologjive të reja, informacioni dhe siguria kibernetike, energjia bërthamore paqësore, çështjet e mbrojtjes dhe ato ushtarake si dhe bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit, çështjet mjedisore dhe Deti Kaspik, lufta kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, përbëjnë disa nga dispozitat e kësaj marrëveshjeje.
Neni 3 i këtij traktati përfshin gjithashtu çështjen e respektimit të tërësisë territoriale.
Irani dhe Rusia ranë dakord gjithashtu që nëse njëra palë sulmohet nga një vend, pala tjetër do të "përmbahet nga ofrimi i ndihmës për agresorin".
Masoud Pezeshkian, i cili kishte udhëtuar të premten për në kryeqytetin e këtij vendi me ftesë zyrtare të homologut të tij me qëllim të zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik midis Republikës Islamike të Iranit dhe Federatës Ruse, mbrëmë u largua nga Moska për në Teheran.