Zyrtarët e lartë të Hamasit takohen me ministrin Araghchi
Kryetari dhe anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Zyrës Politike të Lëvizjes së Rezistencës Islamike Palestineze - Hamas, të cilët udhëtuan për në Teheran për t'u takuar me zyrtarë të lartë iranianë, u takuan dje me Ministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Sejid Abbas Araghchi.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, në këtë takim, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit përgëzoi popullin palestinez të Gazës për fitoren historike kundër krimeve dhe gjenocidit të regjimit okupator sionist dhe theksoi: “Qëndresa dhe rezistenca e popullit të Gazës në këtë sipërfaqe të vogël kundër gjenocidit të paprecedentë të kryer nga regjimi sionist do të shënohet dhe do të mbetet në histori”.
Araghchi theksoi: “Pavarësisht krimeve brutale dhe vrasjes së mijëra grave dhe fëmijëve, regjimi sionist u detyrua të negociojë dhe të arrijë një marrëveshje me një Lëvizje të cilën synonte ta shkatërronte plotësisht dhe Hamasi arriti ta detyronte armikun të pranonte një armëpushim bazuar në kushtet e Rezistencës dhe lirimin e të burgosurve palestinezë”.
Gjithashtu, Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit deklaroi: “Plani i presidentit amerikan për të zhvendosur me forcë popullin palestinez nga Gaza është në përputhje me komplotin kolonialist për të zhdukur Palestinën dhe është në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare”.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Hamasit, Mohammad Ismail Darwish, gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij për udhëtimin e tij në Teheran dhe për takimin me Liderin Suprem, presidentin e Iranit dhe kreun e Parlamentit, si dhe uroi për dy festat: përvjetorin e fitores së Revolucionit Islamik të Iranit dhe festën e fitores së madhe të Rezistencës në Gaza.
Duke dënuar planin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dëbuar banorët nga Gaza, kreu i Këshillit Drejtues të Hamasit kujtoi nevojën që vendet arabe dhe islamike të mbajnë një qëndrim të vendosur kundër këtyre planeve dhe theksoi: “Askush nuk mund të dëbojë popullin tonë qëndrestar, i cili mundi t'u rezistojë krimeve të regjimit sionist për më shumë se pesëmbëdhjetë muaj dhe të kthehet fitimtar në qytetet dhe rajonet e veta, pasi populli ynë, ashtu si pemët e ullirit, i ka rrënjët në tokën dhe në atdheun e vet”.