Araghchi mbërrin në Gjenevë
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i168194-araghchi_mbërrin_në_gjenevë
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Islamike të Iranit mbërriti në Gjenevë të hënën në mëngjes për të marrë pjesë në takimin e 58-të të Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Shkurt 24, 2025 09:58 Europe/Tirane
  • Araghchi mbërrin në Gjenevë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Islamike të Iranit mbërriti në Gjenevë të hënën në mëngjes për të marrë pjesë në takimin e 58-të të Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Sejed Abbas Araghchi u nis dje nga Bejruti për në Gjenevë, pasi mori pjesë në ceremoninë e varrimit të dëshmorëve Sejed Hassan Nasrallah dhe Sejed Hashem Safiuddin në Liban. Është planifikuar që ai të marrë pjesë sot (të hënën) në Sesionin e 58-të të Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe në Takimin e Nivelit të Lartë të Konferencës për Çarmatimin.

Araghchi është ndër folësit në të dyja konferencat e nivelit të lartë. Ai do të takohet gjithashtu me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me disa nga homologët e tij.

Sesioni i 58-të i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHRC), i cili fillon sot, është një nga ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e shqyrtimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut.

Takimi, i cili do të mbahet në Gjenevë për disa javë deri më 4 prill, ofron një mundësi kyçe për përfaqësuesit e qeverive, organizatave joqeveritare dhe palëve të tjera të interesuara për të diskutuar dhe shqyrtuar sfidat aktuale të të drejtave të njeriut.

Sesioni i 58-të do të trajtojë tema të tilla si "Të drejtat e njeriut në zonat e konfliktit", "Të drejtat e grave dhe vajzave", "Ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut", "Të drejtat dixhitale dhe liria e shprehjes" si dhe "Të drejtat e indigjenëve".