Presidenti iranian shpall Ligjin për Pezullimin e Bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike
(last modified Wed, 02 Jul 2025 14:55:55 GMT )
Korrik 02, 2025 16:55 Europe/Tirane
  • Presidenti iranian shpall Ligjin për Pezullimin e Bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike
    Presidenti iranian shpall Ligjin për Pezullimin e Bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike

ParsTod - Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi hyrjen në fuqi të Ligjit për Pezullimin e Bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të miratuar nga Parlamenti Islamik.

Sipas ParsToday, duke cituar IRNA-n, presidenti iranian Masoud Pezeshkian të mërkurën, në zbatim të Nenit 123 të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit, kumtoi për zbatim "Ligjin për Obligimin e Qeverisë për Pezullimin e Bashkëpunimit me Organizatën (Agjencinë) e Energjisë Atomike Ndërkombëtare" që u miratua në seancën e Parlamentit Islamik më 25 qershor 2025, dhe u miratua nga Këshilli i Rojave të Kushtetutës. Ligji në fjalë iu kumtua për zbatim Organizatës së Energjisë Atomike, Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit.

Në një seancë publike të mërkurën, më 25 qershor 2025, gjatë shqyrtimit të projektligjit që i kërkonte qeverisë të pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, deputetët e Parlamentit Islamik e miratuan projektligjin me 221 vota pro, asnjë votë kundër dhe një abstenim nga një total prej 223 deputetësh të pranishëm në seancë.

Gjithashtu, propozimi për t'i kërkuar qeverisë të pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike u shqyrtua edhe nga anëtarët e Këshillit të Rojave të Kushtetutës dhe nuk u gjet asnjë kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën e Iranit.

Hadi Tahan Nazif në një intervistë ekskluzive me IRNA, tha: "Propozimi për t'i kërkuar qeverisë të pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike u shqyrtua nga anëtarët e Këshillit të Rojave të Kushtetutës dhe u konfirmua se nuk ishte në kundërshtim me parimet e Sheriatit dhe Kushtetutës së Iranit".

Ai shtoi: "Sipas kësaj rezolute, duke pasur parasysh shkeljen e sovranitetit kombëtar dhe sulmet e kryera kundër integritetit territorial të Republikës Islamike të Iranit nga regjimi sionist dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër objekteve bërthamore paqësore të vendit tonë dhe rrezikimin e interesave të larta kombëtare të Republikës Islamike të Iranit, qeveria është e obliguar të pezullojë çdo bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në mënyrë që të sigurojë parimet e respektimit të plotë të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Republikës Islamike të Iranit, veçanërisht garantimin e sigurisë së qendrave dhe shkencëtarëve bërthamorë, si dhe sigurimin e respektimit të të drejtave qenësore të Republikës Islamike të Iranit në gëzimin e të gjitha të drejtave të specifikuara në Nenin 4 të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), veçanërisht çështjen e pasurimit të uraniumit".

Zëdhënësi i Këshillit të Rojave të Kushtetutës theksoi: "Vendimi final për këto raste do të jetë gjithashtu me Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare".