Takimet e presidentit iranian në Venezuelë përqendrohen tek nafta dhe ekonomia
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, në kuadër të takimit të krerëve të Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara në Venezuelë zhvilloi takime të veçanta me liderët e Indisë, Ekuadorit, Bolivisë dhe të Algjerisë.
Dr. Hasan Ruhani, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, në takim me presidentin e Ekuadorit, Rafael Correa, shprehu gatishmërinë e Iranit për të ndihmuar në stabilizimin e çmimeve dhe tregut të naftës. Ai theksoi se nga destabiliteti i tregut të naftës humbasin të gjithë e në veçanti vendet prodhuese të naftës, shtoi se Teherani kërkon çmime të drejta të naftës në bazë të kuotave të drejta të prodhimit të cilat duhet të respektohen nga vendet prodhuese të naftës. Presidenti i Ekuadorit z. Rafael Correa, e cilësoi të domosdoshme drejtësinë në çmimin e naftës dhe kërkoi që të gjitha vendet prodhuese të bëjnë përpjekje për suksesin e takimit të ardhshëm të tyre që organizohet në Algjeri. Presidenti iranian në takim me presidentin e Bolivisë z. Evo Morales, theksoi nevojën e unitetit mes vendeve të pavarura për arritjen e qëllimeve të përbashkëta dhe shtoi se Teherani dëshiron forcimin e marrëdhënieve me vendet e Amerikës Latine e në veçanti me Bolivinë. ''Këto vende duhet të llogarisin miqësinë dhe përkrahjen e Iranit''-theksoi presidenti Ruhani. Nga ana e tij, z. Evo Morales kërkoi pjesëmarrjen më të madhe të kompanive iraniane në projektet ekonomike, industriale dhe energjitike të Bolivisë. Ai shtoi se Iranit dhe Bolivia kanë potenciale të mëdha bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Presidenti iranian në takim me z. Metan Al Amare, ministër i Jashtëm i Algjerisë, deklaroi se Irani dhe Algjeria kanë qenë gjithmonë përkrah njëri-tjetrit në kohë të vështira dhe sot pas heqjes së sanksioneve, dy vendet janë të vendosura për zgjerimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të marrëdhënieve. Ministri i Jashtëm algjerian i dorëzoi presidentit iranian një mesazh nga presidenti i Algjerisë ku theksohej vullneti serioz i Algjerit për të bashkëpunuar me Teheranin në të gjitha fushat.