Irani shpreson për një marrëveshje në Algjer
Ministri i Naftës i RII u shpreh se beson në arritjen e një marrëveshjeje mes anëtarëve të OPEC-ut gjatë takimit që po zhvillohet në kryeqytetin algjerian.
Bizhan Zangane theksoi se Irani ka bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e konsensusit mes vendeve të OPEC-ut për stabilizimin e çmimit të naftës në tregjet botërore, por shtoi se për zgjidhjen e problemit të çmimit të naftës duhet të zhvillohen bisedime edhe me vendet prodhuese që nuk janë anëtarë të OPEC-ut. Ministri iranian i Naftës, deklaroi se Irani pret nga vendet e OPEC-ut të përkrahin rikthimin e Iranit në kuotën që kishte para vendosjes së sanksioneve, përndryshe Irani do të vazhdojë të rrisë prodhimin e naftës. Pas vendosjes së sanksioneve kundër Iranit, Arabia Saudite shtoi prodhimin e naftës duke marrë edhe pjesën e Iranit në tregun e naftës. Gjithashtu, Arabia Saudite në mënyrë artificiale uli çmimin e naftës për të goditur ekonomitë e Iranit dhe të Rusisë, por tashmë rezulton se Arabia Sauditë është vendi më i dëmtuar nga rënia e çmimeve të naftës.