Hungarezët votojnë kundër emigrantëve
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shpalli fitore në referendumin e së dielës mbi kutotat e detyrueshme të Bashkimit Evropian për emigrantët, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët që e bën atë të pavlefshëm.
Gati 98 përqind e atyre që kanë marrë pjesë, kanë mbështetur thirrjet e qeverisë për të refuzuar planin e BE-së. ”Nuk është sekret. Kam votuar me ‘jo’. Nuk do të doja që emigrantët të vijnë këtu”, tha një qytetare hungareze me emrin Erzsebet Leszak. Pjesëmarrja në referendum ka qenë 43 përqind, ndërsa për të qenë i vlefshëm duhet së paku 50 përqind. Një zëdhënës i qeverisë tha se rezultati është i detyrueshëm “politikisht dhe ligjërisht”, por, sipas opozitës, qeveria nuk e ka pasur mbështetjen e nevojshme. Orban u bëri thirrje vendimmarrësve të BE-së që të marrin parasysh rezultatin dhe tha se do të ndryshojë Kushtetutën e Hungarisë për ta bërë vendimin të detyrueshëm. Plani i diskutueshëm i BE-së për të rivendosur 160,000 emigrantë nëpër vendet anëtare do të kërkonte nga Hungaria që të pranojë 1,294 azilkërkues. “Brukseli nuk mund ta detyrojë Hungarinë”, tha Orban para mbështetësve në Budapest. Ferenc Gyurcsany, udhëheqës i opozitës Koalicioni Demokratik, tha se pjesëmarrja e ulët tregon se shumica e njerëzve nuk e kanë mbështetur qeverinë. “Në bazë të këtij rezultati, që tregon pjesëmarrje të ulët, njerëzit nuk e mbështesin qeverinë. Dhe, kjo është mirë. Çështja e emigrantëve i tejkalon kufijtë e Hungarisë”, tha Gyurcsany. Gjatë krizës me emigrantët, vitin e kaluar, Hungaria është bërë shtet transit në rrugën nga Ballkani Perëndimor për në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së.