Zarif dhe Larixhani anulojnë takimet me zv/kancelarin e Gjermanisë
Ministri i punëve të jashtme dhe kryetari i Parlamentit Islamik të Republikës Islamike të Iranit kanë anuluar takimet e parapara me zv/kancelarin e Gjermanisë.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se Husein Amir Abdulahjan, asistenti special për çështje ndërkombëtare i kryetarit të Parlamentit Islamik të Iranit, ka bërë të ditur anulimin e takimit të kryeparlamentarit iranian me Sigmar Gabriel, zv/kancelarin dhe ministrin e ekonomisë së Gjermanisë dhe ka theksuar se ruajtja e qëndrimeve parimore dhe sovraniteti politik i Iranit është një çështje jetike për Teheranin. Ndërkohë edhe Muhamed Xhavad Zarif, ministri i punëve të jashtme të Iranit, ka anuluar takimin me zv/kancelarin e Gjermanisë për shkak të deklaratave të tij të fundit në lidhje me Iranin. Nga ana tjetër, Ajetullah Sadegh Amoli Larixhani, kryetari i sistemit juridik të Iranit, gjithashtu të hënën në një takim me funksionarët e lartë të sistemit juridik të Republikës Islamike të Iranit, ka hedhur poshtë kushtin e Sigmar Gabriel për njohjen zyrtare të regjimit okupator sionist dhe ka thënë: "Irani për shumë vite ka qenë nën presione të mëdha për shkak të rezistencës përballë kërkesave të tilla të palogjikshme". Ajetullah Amoli Larixhani gjithashtu vuri në dukje edhe pretendimet e zv/kancelarit gjerman dhe të BE kundër Iranit në lidhje me të drejtat e njeriut dhe shtoi: "Këto pretendime të padrejta bëhen në kohën kur për çdo ditë vriten dhe masakrohen me dhjetëra civilë jemenas nga ushtria e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Amerikës, mirëpo nga vendet perëndimore nuk bëhet asnjë reagim në këtë drejtim". Vlen të theksohet se Sigmar Gabriel, zv/kancelari dhe ministri i ekonomisë së Gjermanisë, javën e kaluar në një intervistë me gazetën "Spiegle", kishte deklaruar se Gjermania do të normalizojë marrëdhëniet me Iranin vetëm me kusht që qeveria e Iranit ta njohë zyrtarisht ekzistencën e regjimit sionist.