Irani dhe Shqipëria në rrugën e rritjes së nivelit të marrëdhënieve
(last modified Sat, 14 Jan 2017 04:17:47 GMT )
Janar 14, 2017 05:17 Europe/Tirane
  • Irani dhe Shqipëria në rrugën e rritjes së nivelit të marrëdhënieve

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, zoti Ditmir Bushati, në krye të një delegacioni politik dhe tregtar shqiptar ka mbërritur në Teheran për një vizitë zyrtare dyditore në Iran.

Kjo vizitë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Më 31 Tetor 2016, presidenti i Republikës Islamike të Iranit z. Hasan Ruhani, në takim me ambasadorin e akredituar të Shqipërisë z. Genti Gazheli, duke theksuar se Irani dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta kulturore dhe fetare, shtoi: “Republika Islamike e Iranit dëshiron zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe krijimin e një zhvillimi pozitiv në marrëdhëniet ekonomike, kulturore, shkencore dhe turistike me Republikën e Shqipërisë.” Duke theksuar se ekzistojnë potenciale të mëdha për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, presidenti Ruhani kërkoi shfrytëzimin e këtyre potencialeve në interes të dy shteteve dhe dy popujve si dhe ceku nevojën e prezantimit të kapaciteteve të investitorëve dhe kompanive shtetërore e private të Iranit dhe Shqipërisë. Më parë, më 28 Shkurt 2016, drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit shtetëror të Shqipërisë, z. Martin Leka, zhvilloi një vizitë në Iran duke hapur një fazë të re në bashkëpunimin mes mediave të dy vendeve. Duket se edhe vizita e shefit të diplomacisë shqiptare, z. Ditmir Bushati, do të ndikojë në ngritjen e nivelit të marrëdhënieve Teheran-Tiranë. Niveli aktual i marrëdhënieve mes Iranit dhe Shqipërisë nuk i përgjigjet potencialeve që kanë këto dy shtete si dhe të përbashkëtave të shumta kulturore e fetare të dy popujve. Lidhjet fetare, kulturore dhe gjuhësore mes dy popujve i kanë rrënjët thellë në histori. Mjafton të përmendet se poeti më i famshëm shqiptar Naim Frashëri, ka shkruar përmbledhje me poezi në gjuhën perse, ndërsa ish-kryeministri shqiptar Fan Noli, ka qenë njohës i shkëlqyer i persishtes dhe letërsisë perse dhe nga përkthyesit më të mirë në botë të poezive të poetit të famshëm iranian Omer Khajami. Duket se ka ardhur koha potencialet e shumta dhe vullneti i mirë që ekziston në Iran dhe Shqipëri, të kthehen në raste për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve mes dy vendeve e në veçanti, në sektorët e ekonomisë, tregtisë, shkencës, kulturës dhe turizmit. Vizita e zotit Ditmir Bushati në Teheran mund të forcojë edhe më shumë bazat e marrëdhënieve miqësore mes dy shteteve dhe dy popujve. Padyshim, këto marrëdhënie mund të ndikojnë dukshëm edhe në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Një gjë është e qartë: Teherani dhe Tirana janë optimistë për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe.