Shqipëria e vendosur për hapjen e ambasadës shqiptare në Teheran
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Iranit në Teheran, deklaroi: “ Rrethanat aktuale janë tepër inkurajuese për thellimin e marrëdhënieve me Iranin dhe për këtë arsye, Shqipëria ka vendosur të hapë ambasadën e saj në Teheran”.
Agjencia e lajmeve Parstoday bën të ditur se zoti Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në takimin e zhvilluar të shtunën me ministrin e Jashtëm iranian, z. Muhamed Xhevad Zarif, pasi i shprehu ngushëllimet qeverisë dhe popullit iranian për vdekjen e Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit, shprehu dëshirën dhe vullnetin e Tiranës zyrtare për zgjerimin e marrëdhënieve me Iranin dhe theksoi:” Rrethanat aktuale janë tepër inkurajuese për thellimin e marrëdhënieve me Iranin dhe për këtë arsye, Shqipëria ka vendosur të hapë ambasadën e saj në Teheran”. Shefi i diplomacisë shqiptare theksoi se bashkëpunimi ekonomik është prioritet i Shqipërisë në marrëdhëniet me Iranin dhe shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjeve për “Përkrahjen e investimeve të përbashkëta” dhe për “Heqjen e tatimeve shtesë” në tregtinë mes dy vendeve. Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë kërkoi thellimin e bashkëpunimit kulturor mes Iranit dhe Shqipërisë, ofrimin e shërbimeve për personat që posedojnë pasaporta diplomatike dhe përpilimin e dokumentit për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike mes dy vendeve. Nga ana e tij, z. Muhamed Xhevad Zarif, ministër i Jashtëm i Iranit, duke falenderuar për ngushëllimin e shprehur nga z. Bushati për vdekjen e Ajetollah Hashemi Rafsanxhanit, shtoi: “Ekzistojnë mundësi të shumta për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit në fushat politike, kulturore dhe ekonomike mes Iranit dhe Shqipërisë.” Shefi i diplomacisë iraniane tha se vendet europiane e në veçanti vendet e Ballkanit po vuajnë nga zgjerimi i ekstremizmit dhe në këtë kuadër Irani është i gatshëm të bashkëpunojë me Shqipërinë në përballje me ekstremizmin dhe terrorizmin. Në takimin mes shefave të diplomacive të Iranit dhe Shqipërisë u diskutua edhe mbi bashkëpunimin në fushën e arsimit, bashkëpunimin në sferën ndërkombëtare, bashkëpunimin ndërparlamentar, në sektorin e turizmit tregtar dhe në veçanti, u diskutua bashkëpunimi dypalësh në sektorin e hekurudhave, të ndërtimit të rrugëve dhe në sektorin energjitik (energjisë dhe gazit), ku Irani posedon teknologji bashkëkohore dhe potenciale të mëdha. Në përfundim të takimit Bushati-Zarif, u nënshkrua pakti i mirëkuptimit për vazhdimin e kontakteve të rregullta politike mes dy vendeve.