Irani: Në Kirkuk duhet të valëvitet vetëm flamuri irakian
Pas përpjekjes së fundit të Këshillit Krahinor të Kirkukut për të ngritur flamurin rajonal mbi disa ndërtesa qeveritare, Irani thotë se vetëm ngjyrat kombëtare irakiane duhet të lejohen të valëviten në provincën veriore të vendit, Kirkuk.
"Qëndrimi parimor i Republikës Islamike të Iranit është të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të Irakut," tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Bahram Kasemi. Pozicioni i Iranit bazohet në rëndësinë e angazhimit të të gjitha palëve të Irakut për të respektuar kushtetutën e vendit dhe zgjidhjen e dallimeve përmes dialogut dhe qasjeve ligjore, shtoi ai. "Prandaj, ngritjen e ndonjë flamuri tjetër përveç flamurit të Irakut në Kirkuk, që është qeverisur nga qeveria federale e bazuar në kushtetutën e vendit, e konsiderojmë si një lëvizje në kundërshtim me kushtetutën dhe një burim tensioni," tha zëdhënësi iranian. Ai shtoi se lufta kundër terroristëve tekfiristë të ISIS është çështja më e rëndësishme e qeverisë dhe e kombit irakian, duke theksuar se Irani deri më tani ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë fushatën kundër terrorizmit. Më tej, Kasemi shprehu shqetësimin se lëvizjet e fundit nga disa palë të Irakut në Kirkuk do të devijojnë vëmendjen e qeverisë irakiane nga lufta kundër terrorizmit. Parlamenti irakian votoi të shtunën për të ndaluar ngritjen e flamurit të rajonit gjysmë-autonom të Kurdistanit mbi ndërtesat qeveritare në Kirkuk, por ky vendim u injorua nga Këshilli Krahinor i Kirkukut.