Bisedë telefonike mes Ruhani dhe Asad
Presidenti i RII deklaroi se agresioni i SHBA ndaj një vendi të pavarur si Siria është shkelje flagrante e ligjeve ndërkombëtare dhe e kartës së OKB dhe shtoi se Irani e dënon ashpër këtë sulm.
Z. Hasan Ruhani president i RII, në një bisedë telefonike të zhvilluar me presidentin e Sirisë Bashar Asad, deklaroi se populli iranian do të vazhdojë të jetë përkrah popullit të Sirisë në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Sirisë. Ruhani shprehu solidaritetin me familjet e viktimave të agresionit amerikan kundër Sirisë dhe shtoi se të tilla sulme vetëm sa ngrejnë moralin e terroristëve të cilët gjatë muajve të fundit kanë pësuar disfata të rënda në Siri dhe Irak. Presidenti iranian tha se Siria ka bashkëpunuar ngushët me OKB në zhdukjen e armëve kimike, prandaj Damasku nuk mund të akuzohet për përdorimin e këtyre armëve ndaj qytetarëve sirianë. Nga ana e tij, presidenti sirian Bashar Asad duke falënderuar për përkrahjen e RII për Sirinë, theksoi: Sulmi raketor i SHBA që u krye pas disfatave të rënda të terroristëve ishte një përpjekje për forcimin e grupeve terroriste dhe për dobësimin e popullit dhe ushtrisë siriane.