Zarif: Irani dëshiron të ketë marrëdhënie pozitive me të gjithë fqinjët
Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif ka kritikuar administratën e re amerikane për mospërmbushjen e plotë të angazhimeve të saj në kuadrin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, duke thënë se Shtëpia e Bardhë më në fund duhet të veprojë sipas marrëveshjes.
"Për fat të keq, sjellja e administratës së re në Uashington nuk është shumë premtuese," u tha Zarif gazetarëve të hënën pas një takimi me ministrin e jashtëm norvegjez Borge Brende në Oslo. "Por, ne besojmë se në fund administrata amerikane do të respektojë marrëveshjen dhe ne besojmë se pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare do ta bëjë të qartë se e konsideron marrëveshjen si një marrëveshje shumëpalëshe dhe jo një marrëveshje dypalëshe midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ", shtoi ministri i Jashtëm iranian. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Presidenti i SHBA Donald Trump kishte premtuar të shfuqizonte marrëveshjen bërthamore, të cilën ai e quajti "katastrofë" dhe "marrëveshja më e keqe e negociuar ndonjëherë". Zarif shtoi se marrëveshja bërthamore ishte një "arritje e rëndësishme" për bashkësinë ndërkombëtare në reduktimin e tensioneve dhe në parandalimin e një krize të panevojshme. Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me dërgimin e ndihmës nga Irani për Katarin në mes të tensioneve në rritje midis Dohës dhe Arabisë Saudite, Zarif tha: "Ne gjithmonë duam të kemi marrëdhënie pozitive me të gjithë fqinjët tanë" pa përjashtuar asnjë nga fqinjët tanë. Ai shtoi se ajo që Irani po dërgon për Katarin është brenda kuadrit të tregtisë normale mes dy vendeve dhe nuk konsiderohet si ndihmë nga Irani. Tensionet u përshkallëzuan midis Riadit dhe Dohas pas vizitës së Trump, për shkak të një artikulli në agjencinë shtetërore të lajmeve të Katarit, në të cilën emiri i Katarit kritikoi SHBA-në, Arabinë Saudite dhe shtetet e varura prej tyre për përpjekjen për të nxitur tensionet me "fuqinë islame" Iranin.