Irani dënon deklaratat e Tillerson
Irani ka dënuar akuzat e sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, se Republika Islamike e Iranit kishte "aspirata të hegjemonisë në rajon", duke thënë se deklaratat e shefit të DASH shkelin ligjet ndërkombëtare.
Deklaratat e shefit të diplomacisë të SHBA janë "intervenuese, shkelje e rëndë e rregullave të së drejtës ndërkombëtare, të papranueshme dhe të dënueshme fuqimisht"- tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Behram Kasemi në Teheran. Në një deklaratë në Komisionin për Çështjet e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA të mërkurën, Tillerson tha se qeveria iraniane "vazhdon aktivitetet dhe ndërhyrjet që destabilizojnë Lindjen e Mesme". "Ne dhe aleatët tanë duhet të kundërshtojnë synimet e hegjemonisë së Iranit në rajon," tha Tillerson. Behram Kasemi përmendi historinë e ndërhyrjeve të SHBA "duke u përqendruar në Iran në forma të ndryshme" që nga vitet 1950, duke thënë se politika amerikane ka sjellë vetëm "disfatë dhe turp global" për Uashingtonin. "Konfuzioni, dobësia dhe ikja nga realiteti janë ndër tiparet dalluese të politikës së jashtme të qeverisë së re amerikane," shtoi ai. Gjatë viteve të fundit, qeveria iraniane dhe kombi kanë demonstruar se do të qëndrojnë fuqishëm për të mbrojtur "sovranitetin e vendit dhe idealet me unitet, maturi, dhe mençuri", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.