Agresioni eventual amerikan në Siri do t’a destabilizojë më shumë rajonin
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Behram Kasemi paralajmëroi gjithashtu se çdo lëvizje e njëanshme kundër Sirisë nga ana e SHBA me pretekste të rrejshme do të krijojë më shumë pasiguri në rajon dhe do të inkurajojë terroristët.
Behram Kasemi reagoi ndaj deklaratave të fundit të funksionarëve amerikanë mbi “sulmet preventive” në Siri me pretekstin se qeveria e Sirisë po përgatitet të përdorë armët kimike. "Ngritja e pretendimeve të tilla të pabaza dhe ndërmarrja e masave që nuk do të kenë asnjë rezultat, përveçse forcimit të grupeve terroriste dhe komplikimit të mëtejshëm të luftës kundër tyre, duket shumë e dyshimtë në një kohë kur qeveria siriane për më shumë se gjashtë vjet po lufton me të gjitha forcat grupet terroriste dhe ka paguar një çmim të rëndë në këtë luftë, "-tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të marrë masat e duhura për të parandaluar çdo lëvizje të njëanshme në vendin e shkatërruar nga lufta. Edhe Rusia gjithashtu ka hedhur poshtë paralajmërimin e SHBA-ve se qeveria siriane po bën "përgatitje" për një sulm të ri kimik, duke thënë se akuzat e tilla janë të papranueshme. "Pretendimet e tilla të padokumentuara ndaj udhëheqësve të ligjshëm të Sirisë janë të papranueshme"- tha të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.