Irani dhe Turqia forcojnë bashkëpunimin ushtarak
Irani dhe Turqia ranë dakord të krijojnë një bashkëpunim më të ngushtë ushtarak pas bisedimeve në Ankara midis Shefit të Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura iraniane dhe zyrtarëve të lartë turq, tha zëdhënësi i presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
"U arrit një marrëveshje për të mbajtur vizita të tjera të nivelit të lartë prej tani e tutje", tha Ibrahim Kalin në një konferencë shtypi të enjten. "Një sërë aktivitetesh do të mbahen gjithashtu për të rritur bashkëpunimin ushtarak mes Ankarasë dhe Teheranit", shtoi ai. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, Gjeneral Major Muhamed Bageri arriti të martën në Turqi në krye të një delegacioni politik-ushtarak të rangut të lartë. Ai u takua me autoritetet më të larta të vendit, duke përfshirë Presidentin Erdogan, homologun e tij turk, gjeneralin Hulusi Akar dhe Ministrin e Mbrojtjes Nurettin Canikli. Kalin e përshkroi vizitën e Gjeneral Major Bageri si "të frytshme dhe të suksesshme" dhe shtoi se bisedimet dypalëshe u përqendruan në luftën kundër terrorizmit, fushatën kundër terroristëve të ISIS dhe një përpjekje të përbashkët nga Irani, Turqia dhe Rusia për të frenuar luftimet në disa pjesë të Sirisë. Duke folur për gazetarët pas takimit të tij me Erdogan të mërkurën, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit tha se çështjet e mbrojtjes dypalëshe dhe zhvillimet rajonale dhe luftën kundër terrorizmit ishin çështjet kryesore të diskutuara. Ai vuri në dukje se Erdogan do të udhëtonte në Iran në të ardhmen e afërt.