Ruhani dhe Erdogan kërkojnë t’i jepet fund dhunës ndaj myslimanëve në Mianmar
(last modified Sun, 10 Sep 2017 05:30:16 GMT )
Shtator 10, 2017 07:30 Europe/Tirane
  • Ruhani dhe Erdogan kërkojnë t’i jepet fund dhunës ndaj myslimanëve në Mianmar

Hasan Ruhani dhe Rexhep Taip Erdogan, përkatësisht president i Republikës Islamike të Iranit dhe president i Turqisë, në një takim që u mbajt në kuadër të samitit të krerëve të vendeve islamike në Astana të Kazakistanit, diskutuan për çështje të ndryshme mes tyre mbi situatën në Mianmar.

Në këtë takim presidenti Ruhani përmendi gjendjen e rënduar të myslimanëve në Mianmar dhe tha: Në Mianmar po ndodh një katastrofë e madhe dhe për këtë është e nevojshme që t’i jepet fund dhunës dhe krimeve kundër myslimanëve Rohingya dhe për njerëzit e lënduar dhe ata në nevojë të dërgohen menjëherë ndihma humanitare. Presidenti iranian vuri në dukje se shumë shpejt ndihmat humanitare të Iranit do të dërgohen për myslimanët në Mianmar dhe shtoi se bashkërenditja e mendimeve dhe e veprimeve të vendeve islamike dhe sidomos e Turqisë me Iranin, është tepër e rëndësishme dhe me ndikim. Presidenti Ruhani mirëpriti vizitën e ardhshme të presidentit të Turqisë në Teheran dhe tha: Në çështjet e rajonit qëndrimi i të dy vendeve është stabilizimi i kufijve gjeografikë dhe i sovranitetit kombëtar të fqinjëve dhe vendeve të rajonit dhe cdo ndryshim në këtë fushë nënkupton nisjen e një tensioni të gjerë në dëm të popujve të rajonit. Nga ana e tij presidenti i Turqisë shpresoi se në përfundim të samitit të krerëve të OBI do të nxirret një deklaratë për Mianmarin dhe theksoi se në këtë fushë mund të ndërmerren veprime të përbashkëta me Iranin dhe funksionarët e Mianmarit duhen paralajmëruar që të ndërpresin dhunën ndaj myslimanëve. Presidenti Erdogan, Iranin dhe Turqinë i cilësoi vende të mëdha të rajonit dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është konstruktiv në çdo fushë. Ruajtja e tërësisë territoriale të vendeve të rajonit është e rëndësishme, tha në fjalën e tij Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë.

Tags