Shefat ushtarakë të Iranit dhe Irakut takohen në Teheran pas referendumit kurd
Shefat ushtarakë të Iranit dhe Irakut janë takuar dhe kanë zhvilluar bisedime bisedime në Teheran pas një referendumi të diskutueshëm në rajonin gjysmë autonom kurd të Irakut.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit Gjeneral Major Muhamed Bakeri priti homologun e tij irakian Gjeneral Major Othman al-Ghanmi, i cili mbërriti në Teheran në krye të një delegacioni ushtarak irakian. Çështja e luftës kundër terrorizmit, referendumi i pavarësisë së Kurdistanit irakian dhe çështjet me interes të ndërsjelltë ishin ndër temat kryesore që u diskutuan në takimin midis zyrtarëve të lartë ushtarakë. Gjatë takimit, Gjeneral Major Bakeri përshëndeti fitoret më të fundit të arritura nga ushtria irakiane në luftën kundër terroristëve. "Ne jemi shumë të kënaqur që populli dhe ushtria e Irakut kanë arritur fitore të mëdha në betejën kundër terroristëve dhe kanë shtypur terrorizmin takfirist", tha ai. Zyrtari i lartë ushtarak i Irakut, nga ana e tij, tha se Iraku ishte në shënjestër të terrorizmit takfirist, duke shtuar megjithatë se shumica e territoreve të pushtuara nga terroristët takfirist ishin çliruar. Ai përsëriti se Iraku do të vazhdonte luftën kundër terrorizmit deri në mposhtjen përfundimtare të terroristëve. Gjeneral Major Ghanmi gjithashtu vlerësoi mbështetjen e plotë të Iranit për Irakun, veçanërisht në kohë të vështira. Të mërkurën e kaluar, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit Gjeneral Major Muhamed Bakeri u takua me zyrtarë të lartë ushtarakë dhe politikë nga Turqia, ku të dy palët diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë referendumin kurd në Irak. Bakeri u tha gazetarëve pas takimit se Irani dhe Turqia ishin të shqetësuar se referendumi kurd në Irak mund të çonte në tensione në këtë vend fqinj, pasojat e të cilave mund të kërcënonin vendet e rajonit.