Zarif: Iranianët nuk mashtrohen nga lojërat e SHBA, as nga simpatia false
Ministri i Jashtëm i Iranit, z. Muhamed Xhavad Zarif i ka bërë thirrje qeverisë amerikane të ndalë ofrimin e "simpatisë së rreme" për kombin iranian, duke thënë se iranianët nuk do të bien pre e një "loje" të tillë.
Në një shkrim në Twitter, Zarif theksoi agjendën armiqësore të Presidentit amerikan Donald Trump kundër Republikës Islamike të Iranit, duke thënë se deklaratat e tij të fundit kundër kombit iranian e demaskuan "simpatinë e rreme" të Uashingtonit. "Simpatia false e Trump për popullin iranian u demaskua nga përdorimi i emrit të rremë për Gjirin Persik, nga quajtja e iranianëve ‘komb terrorist’ dhe nga ndalimi i tyre për të vizituar SHBA-të," shkroi Zarif. Shefi i diplomacisë iraniane gjithashtu theksoi: "SHBA rrëzoi një qeveri të zgjedhur dhe demokratike në Iran, në vitin 1953. Uashingtoni ka provuar një përsëritje të këtij skenari që nga viti 1979. Iranianët nuk mashtrohen nga lojërat e SHBA-së dhe as nga simpatia false e presidentit amerikan".