Deklarata e përbashkët e presidentëve të Iranit, Rusisë dhe Azerbajxhanit
Takimi i Presidentëve të Republikës Islamike të Iranit, Federatës Ruse dhe Republikës së Azerbajxhanit përfundoi të mërkurën me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët, ku të tre liderët u shprehën për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit Teheran-Baku-Moskë.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, presidenti i Republikës Islamike të Iranit, përpara nënshkrimit të deklaratës në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentët e Rusisë dhe Azerbajxhanit, njoftoi përmbushjen e qëllimeve të samitit të parë të tre presidentëve në Baku, duke thënë: “Irani, Azerbajxhani dhe Rusia synojnë të lidhin dy kontinentet e Evropës dhe Azisë përmes Korridorit Ndërkombëtar Veri-Jug”. Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se takimi trepalësh në Teheran u përqendrua në paqen, stabilitetin, luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe mbi të gjitha bashkëpunimin ekonomik, duke vënë në dukje se Irani, Rusia dhe Azerbajxhani janë prodhuesit kryesorë të hidrokarbureve dhe nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin, por përkundrazi synojnë forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë. Presidenti rus gjithashtu shprehu besimin se regjimi ligjor i Detit Kaspik së shpejti do të finalizohet dhe do të nënshkruhet nga shtetet bregdetare. Presidenti Putin përshëndeti gjithashtu takimet midis presidentëve të tre vendeve në margjinat e samitit të Teheranit, duke thënë se treshja zhvilloi bisedime të mira në fushën ekonomike dhe bashkëpunimin për energjinë dhe prodhimin e automjeteve të rënda. Duke shprehur kënaqësinë për bisedimet e zhvilluara në Teheran midis presidentëve iranian, rus dhe azerbajxhanas, Putin tha: "Unë jam i sigurt se këto takime të përzemërta dhe transparente do të sjellin rezultate madhore dhe interesa të gjera për popujt tanë".