Irani falënderon Bashkësinë Ndërkombëtare
Muhamed Xhavad Zarif, ministër i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit ditën e martë në një mesazh të tij në Twitter, ka falënderuar Bashkësinë Ndërkombëtare për solidarizimin dhe propozimet e tyre për ndihma për të prekurit nga tërmeti në Iran dhe për kontrollimin e situatës.
Tërmeti që goditi pjesën perëndimore të Iranit, ka shkaktuar vdekjen 413 personave dhe lëndimin e rreth 7300 personave të tjerë. Pas tërmetit 7.2 ballë të shkallë Rihter kanë rënë edhe 193 tërmete të tjera pasuese. Autoritetet kanë njoftuar për fillimin e kërkimit të viktimave nën gërmadha dhe numri i personave që kanë humbur jetën nga ky tërmet mund të shtohet edhe më tepër. Tërmeti i mbrëmshëm ka goditur disa provinca në perëndim të Iranit dhe ka shkaktuar një kaos publik në mesin e banorëve të këtij rajoni të cilët kanë dalë në rrugë. Sipas raporteve zyrtare, epiqendra e këtij tërmeti ka qenë zona kufitare mes Irakut dhe Iranit, gjegjësisht rajoni Azgale në provincën Kermanshah të Iranit. Shumë krerë shtetesh dhe të organizatave ndërkombëtare menjëherë pas tërmetit kanë dërguar mesazh për presidentin, qeverinë dhe popullin iranian dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për dërgimin e ndihmave për të prekurit nga tërmeti. Me urdhër të presidentit të Republikës Islamike të Iranit, ministri i brendshëm dhe i shëndetësisë dhe kreu i Gjysmë Hënës së kuqe të Iranit, kanë formuar një ekip emergjence që është dërguar në provincën Kermanshah të prekur nga tërmeti. Përveç kësaj sot presidenti i Republikës Islamike të Iranit z. Hasan Ruhani ka shkuar në Kermanshah për të analizuar nga afër gjendjen në këtë provincë dhe për tu njohur me gjendjen e të lënduarve. Menjëherë pas tërmetit të fuqishëm, për tu ardhur në ndihmë banorëve të provincës Kermanshah, janë angazhuar ushtria, garda revolucionare, forcat vullnetare dhe i gjithë populli i provincës në fjalë dhe i zonave të tjera të Iranit.