Amano: Irani ka respektuar marrëveshjen me fuqitë botërore
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ka konfirmuar edhe një herë përkushtimin e Iranit për respektimin e marrëveshjes bërthamore të nënshkruar në vitin 2015 me gjashtë fuqitë botërore, duke thënë se ANEA ka qasje në të gjitha vendet që duhet të inspektojë në Iran.
Drejtori i Përgjithshëm i ANEA, Jukiya Amano, e bëri këtë deklaratë të enjten në fjalimin e hapjes së takimit të Bordit të Guvernatorëve të 35 shteteve të agjencisë në kryeqytetin austriak Vjenë. Amano tha se ANEA "vazhdon të verifikojë dhe monitorojë zbatimin e zotimeve të lidhura me marrëveshjen bërthamore nga ana e Iranit. "Angazhimet lidhur me marrëveshjen bërthamore të ndërmarra nga Irani po zbatohen plotësisht," shtoi ai. Shefi i ANEA gjithashtu vuri në dukje se agjencia do të vazhdojë procesin e verifikimit në lidhje me mosdiversionin e materialit bërthamor dhe mungesën e aktiviteteve të padeklaruara në Iran. "Deri më sot, agjencia ka pasur qasje në të gjitha lokacionet që na duhej për të vizituar," tha ai. Amano, më tej foli për vizitën e tij më 29 tetor në Teheran, ku zhvilloi bisedime me presidentin iranian Hasan Ruhani dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.