Ruhani: Kudsi do të mbetet kryeqytet i shtetit të Palestinës
Presidenti iranian z. Hasan Ruhani ka denoncuar vendimin e " pasaktë dhe të paligjshëm" të homologut të tij amerikan për të njohur Kudsin si kryeqytetin e Izraelit, duke thënë se ky vendim do të krijonte tension të ri në Lindjen e Mesme.
Ruhani e bëri këtë deklaratë duke folur me gazetarët në Teheran të martën para nisjes së tij për në Stamboll, ku do të marrë pjesë në një takim të jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili planifikohet të mblidhet të mërkurën pas deklaratës së Presidentit të SHBA Donald Trump për njohjen e Kudsit si "kryeqytet" i Izraelit dhe për të lëvizur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në qytetin e shenjtë. "Nëse myslimanët ruajnë unitetin dhe integritetin e tyre, kjo do të jetë një fitore e madhe për myslimanët dhe rajonin", tha Ruhani. Ai shtoi se Kudsi u takon të gjithë myslimanëve dhe është "kryeqyteti i shtetit palestinez". "Mesazhi ynë është se çështja palestineze është çështja më e rëndësishme për myslimanët dhe botën islame dhe myslimanët duhet ta dënojnë vendimin e Trump në të gjitha organet ndërkombëtare, veçanërisht në Kombet e Bashkuara", tha presidenti iranian. Ai ripohoi mbështetjen e fuqishme të Iranit për popullin palestinez dhe tha: "Deri sa të gjithë palestinezët të kthehen në atdhe dhe të arrijnë të drejtat e tyre absolute, kjo mbështetje do të vazhdojë". Presidenti Ruhani theksoi se uniteti, integriteti dhe rezistenca e popullit mysliman palestinez në ditët e fundit treguan se myslimanët mund të rezistojnë kundër komploteve të thurura nga arroganca botërore dhe sionistët.