Irani i gatshëm të investojë në Senegal
Ministri i Jashtëm i Iranit, z. Muhamed Xhavad Zarif, në një takim të zhvilluar të hënën në Teheran me kryetarin e parlamentit të Senegalit, z. Mustafa Nijas, nënvizoi zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në prodhimin e makinave dhe traktorëve.
"Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Senegalin në prodhimin e automjeteve dhe traktorëve, si dhe eksportimin e tyre në vendet fqinje", tha Zarif gjatë takimit. Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, Ministri i Jashtëm iranian, shprehu gatishmërinë e tij për të vizituar Senegalin në turneun e tij të ardhshëm në Afrikë. Kryetari i parlamentit senegalez, nga ana e tij, e konsideroi të rëndësishme vizitën e tij në Iran dhe kërkoi vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik me Iranin, në veçanti në sektorin e prodhimit dhe eksportit të makinave dhe shkëmbimin e përvojave të Iranit në sektorin e bujqësisë, përfshirë eksportin e traktorëve dhe eksportin e makinerive bujqësore në Senegal.