Evropa mbështet heqjen e sanksioneve ndaj Iranit
Parlamenti Evropian "mirëpret dhe mbështet" heqjen e sanksioneve ndaj Iranit sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 të nënshkruar me gjashtë fuqitë e botës, deklaroi një anëtar i lartë i organit legjislativ të BE që po viziton Teheranin.
Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të PE, David McAllister, i cili ndodhet në Teheran në krye të një delegacioni parlamentar evropian, i bëri komentet në një takim të mërkurën me kreun e Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme të Parlamentit iranian, Alaedin Boruxherdi. McAllister përcolli mbështetjen e PE dhe të Bashkimit Europian për zbatimin e marrëveshjes bërthamore. Evropa, tha ai, e konsideron marrëveshjen bërthamore si një dokument të dobishëm që promovon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe mbështet zbatimin e saj të plotë nga të gjithë nënshkruesit. Boruxherdi, nga ana tjetër, përshëndeti mbështetjen e Evropës për marrëveshjen bërthamore, duke shprehur shpresën se zbatimi i saj do të nxitë zhvillimin e mëtejshëm në marrëdhëniet e ndërsjella, veçanërisht në fushat tregtare dhe ekonomike. Ligjvënësi i lartë iranian vuri në dukje përpjekjet e shumta të presidentit amerikan Donald Trump për të minuar marrëveshjen dhe tha nëse Uashingtoni shkel dispozitat e marrëveshjes, Teherani do të vepronte "bazuar në interesat e veta". "Shtetet e Bashkuara dhe palët e tjera të marrëveshjes duhet të kuptojnë se marrëveshja bërthamore nuk është e ndryshueshme dhe e negociueshme në asnjë rrethanë," pohoi Boruxherdi.