Vuçiç: Serbia e gatshme për zgjerimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me Iranin
Presidenti serb theksoi të hënën zhvillimin e lidhjeve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në çështjet rajonale me Iranin.
"Si president i Serbisë, unë duhet të njoftoj se jemi gati për bashkëpunim me Iranin dhe zhvillimin e lidhjeve të ndërsjellta në të gjitha fushat," tha Aleksandar Vuçiç në një takim me Ministrin e Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif, i cili ndodhet për një vizitë në Beograd. Presidenti serb vuri në dukje se nuk ka kufizime për zhvillimin e lidhjeve me Iranin. Gjatë takimit, Zarif dhe Vuçiç diskutuan për rritjen e bashkëpunimit në arenën ndërkombëtare. Të dy palët theksuan gjithashtu bashkëpunimin mbi çështjet rajonale dhe kërkuan gjetjen e zgjidhjeve diplomatike për konfliktet në rajon. Ministri i jashtëm iranian arriti të hënën në kryeqytetin serb, Beograd, për një vizitë zyrtare dy ditore në rajonin e Ballkanit. Zarif do të diskutojë marrëdhëniet bilaterale tregtare dhe ekonomike me zyrtarët serbë, duke përfshirë homologun e tij serb dhe kryeministren e vendit. Ai është planifikuar të vizitojë edhe Bullgarinë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën gjatë turneut rajonal që filloi nga Beogradi.