Irani:Sauditët nuk mund të mbulojnë disfatat e tyre në Jemen
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane deklaroi se zyrtarët sauditë po përpiqen të mbulojnë "disfatat e tyre të njëpasnjëshme" në luftën e Jemenit duke hedhur akuza të pabaza ndaj të tjerëve.
Arabia Saudite akuzoi Iranin për furnizimin e luftëtarëve Huthi të Jemenit me raketa balistike. Behram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, i hodhi poshtë pretendimet dhe tha: "Pa dyshim, këto deklarata luftënxitëse dhe të papërgjegjshme janë të hapura për ndjekje ligjore dhe ndërkombëtare". "Duke hedhur akuza të pabaza dhe imagjinare pa prova kundër të tjerëve, sauditët po përpiqen të mbulojnë paaftësinë e tyre dhe disfatat e njëpasnjëshme që kanë pësuar në luftën kundër popullit jemenas, pavarësisht posedimit të një koleksioni të armëve të avancuara dhe blerjeve shumë miliardë dollarëshe të armëve, "shtoi zëdhënësi iranian. Në "luftën e pabarabartë" kundër Jemenit, sauditët dhe aleatët e tyre janë përballur vetëm me rezistencën e popullit jemenas dhe përjetuan një "humbje të turpshme", tha Kasemi, duke theksuar se Arabia Saudite nuk ishte në "pozitë dhe gjendje" për të realizuar "iluzionet" dhe fantazitë e saj ". Pritej që sundimtarët sauditë të paktën të nxirrnin mësime nga agresioni ushtarak kundër popullit jemenas dhe të heqin dorë nga "deliri i madhështisë" së tyre dhe gjithashtu të kuptojnë se "nuk mund të garantojnë pushtet dhe siguri duke u mbështetur në blerjen e armëve dhe në sigurinë e importuar, "vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.