Ruhani: Kriza e Sirisë nuk ka zgjidhje ushtarake
(last modified Wed, 04 Apr 2018 11:52:22 GMT )
Prill 04, 2018 13:52 Europe/Tirane
  • Ruhani: Kriza e Sirisë nuk ka zgjidhje ushtarake

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit deklaroi se procesi i negociatave të Astanas dhe roli i Iranit, Turqisë dhe Rusisë në zgjidhjen e krizës së Sirisë, është i rëndësishëm dhe theksoi se përpjekja e vërtetë për t'i dhënë fund krizës në Siri dhe për të krijuar rrethanat e duhura për rindërtimin e këtij vendi dhe për t'i krijuar rrethanat për kthimin e të shpërngulurve në vendbanimet e tyre, duhet të jetë prioritet i të tre vendeve dhe gjithashtu i Bashkësisë Ndërkombëtare.

Z. Hasan Ruhani të mërkurën në takimin e dytë trepalësh mes presidentëve të Iranit, Rusisë dhe Turqisë i cili po zhvillohet në Ankara me temë kryesore krizën në Siri, deklaroi: "Kriza e Sirisë nuk ka rrugëzgjidhje ushtarake ose rrugëzgjidhje të imponuar nga jashtë dhe e ardhmja e Sirisë do të përcaktohet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve demokratike të popullit sirian. Irani që nga fillimi i krizës në Siri, ka theksuar se është e papranueshme rrugëzgjidhja ushtarake për këtë krizë dhe në bazë të kësaj, ka paraqitur një plan katër pikësh. Kongresi i dialogut kombëtar mes palëve siriane ka krijuar kushte të përshtatshme për fillimin e procesit për zgjidhjen paqësore të krizës në Siri. Ndërhyrja e faktorëve të huaj në caktimin e llojit dhe formës së sistemit shtetëror të Sirisë, do të rezultojë vetëm me vazhdimin e krizës". Z. Ruhani në vazhdim vuri në dukje gjendjen shumë të keqe njerëzore në Siri dhe kërkoi nga Bashkësia Ndërkombëtare që të bëjë përpjekje për dërgimin e ndihmave humanitare në të gjitha rajonet e Sirisë, pa shkelur sovranitetin e këtij vendi. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit gjithashtu duke theksuar gatishmërinë e pranisë efikase të Iranit në rindërtimin e Sirisë, deklaroi: "Prania e forcave të huaja në Siri pa pëlqimin e qeverisë së këtij vendi, është i paligjshëm dhe duhet t'i jepet fund veprimeve të tilla".