"Pompeo nuk është në rrjedhat e zhvillimeve botërore"
Irani i ka cilësuar si të papranueshme deklaratat e sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo lidhur me të drejtën e Republikës Islamike për pasurimin e uraniumit, duke thënë se Pompeo nuk është në rrjedhat e zhvillimeve botërore.
"Për informacionin e tij, duhet të kujtojmë se e drejta ligjore e Republikës Islamike të Iranit për pasurimin e uraniumit është pranuar botërisht dhe teknologjia e pasurimit është konsoliduar në vend," tha të shtunën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Behram Kasemi. Kasemi e përshëndeti hyrjen e Pompeos në botën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, por tha se " sekretari i DASH është angazhuar me vonesë dhe pa informata të nevojshme dhe adekuate në lidhje me çështjen shumë të veçantë të programit bërthamor të Iranit". Zëdhënësi iranian shtoi se Pompeo nuk është në dijeni të zhvillimeve dhe realiteteve ndërkombëtare dhe po përsërit fjalët e paraardhësve të tij të dështuar. Në një intervistë me Zërin e Amerikës të premten, Pompeo pohoi se nuk është "e përshtatshme për Iranin që të ketë kapacitetin për të pasuruar uranium ose për të pasur një strukturë plutoniumi". Ai shtoi: "Nëse iranianët duan një program paqësor të energjisë bërthamore, mirë, por ata mund ti importojnë këto materiale"!