Lideri suprem thekson kapacitetet e Iranit për tejkalimin e problemeve ekonomike
Ajetollah Khamenei, në një takim me presidentin e Republikës Islamike të Iranit dhe me pjesëtarët e kabinetit qeveritar, theksoi kapacitetet e Iranit për tejkalimin e problemeve ekonomike.
Ajetollah Khamenei, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, në takimin e mbajtur dje me Presidentin e Republikës Islamike të Iranit, duke i cilësuar të fuqishme qëndrimet e presidentit iranian gjatë vizitës në Evropë, theksoi: "Demonstrimi i autoritetit përballë të huajve, sidomos amerikanëve, është i domosdoshëm dhe kjo duhet të bëhet në kohë, në mënyrë të qartë dhe bindëse". Lideri Suprem i Revolucionit Islamik duke theksuar "ndjekjen serioze të punëve duke shfrytëzuar aftësitë dhe potencialet e vendit", shtoi: " Shtetet evropiane janë të detyruara të ofrojnë garancitë e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes bërthamore, por ekonomia e vendit nuk duhet të lidhet me këtë çështje".
Qeveria amerikane që në fillim të zbatimit të marrëveshjes bërthamorë është munduar të ulë përfitimet ekonomike të Iranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore. Me ardhjen në pushtet të Donald Trump, president i Amerikës, sabotimet amerikane janë shtuar edhe më shumë. Donald Trump president i Amerikës, më 8 maj mori vendim për largimin dhe tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja bërthamore dhe rikthimin e sanksioneve kundër Iranit. Ky vendim i presidentit amerikan është dënuar nga shumë qarqe politike dhe ekonomike të botës. Agjencia Blomberg lidhur me këtë shkruan se qeveria amerikane po mundohet të ushtrojë presione të pashoq ekonomike kundër Iranit. BE ka theksuar se do tu bëjë qëndresë sanksioneve amerikane dhe për këtë unioni i ka propozuar Iranit një paketë që është e nevojshme për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore. Mirëpo paketa e propozuar nga Evropa nuk ka arritur të bindë Iranin. Presidenti i Republikës Islamike të Iranit në bisedat e tij telefonike me presidentin e Francës dhe kancelaren e Gjermanisë, paketën e propozuar nga Evropa e ka quajtur zhgënjyese dhe ka thënë se Irani nga Brukseli pret të paraqesë një program të qartë operativ dhe me grafik të përcaktuar. Për momentin Irani kërcënohet nga dy faktorë seriozë. Fakti i parë përbëhet nga qëllimet dashakeqe të Amerikës dhe armiqve të tjerë siç janë vendosja e sanksioneve, lufta ekonomike dhe presioni psikologjik kundër popullit iranian. Edhe pse të tilla skenarë për Iranin nuk janë diçka e re mirëpo këto rrjedha nuk duhen anashkaluar lehtë pasi ndaj tyre është e nevojshme një përballje serioze. Barbara Sllavin, një prej anëtarëve të këshillit të Atlantikut thotë: Rrjedha e lobit të fortë kundër Iranit është futur në punë. Një prej faktorëve të ndikimit të tyre është vendosja e sanksioneve. Ajo thotë se sanksionet dhe presionet kundër qeverisë dhe popullit iranian do të jenë maksimale. Mirëpo faktori i dytë kërcënues është dobësimi nga brenda për të cilën është theksuar edhe në fjalimin e liderit suprem. Ajetollah Khamenei duke vendosur theks të veçantë mbi "nevojën për një zgjerim në rritje të diplomacisë dhe marrëdhënieve të jashtme", shtoi: " Përveç disa vendeve të tilla si Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet me Lindjen dhe Perëndimin duhet të forcohen më tej dhe të rritet lëvizja operative dhe inteligjente e diplomacisë". Ai gjithashtu bëri thirrje për përgatitjen e një "projekti afatgjatë për një ekonomi të qëndrueshme për Iranin" dhe nënvizoi: "Nëse hartohet një projekt i qartë për ekonominë, populli dhe aktivistët ekonomikë do ta kenë të qartë detyrën e tyre dhe me lehtësim dhe me ndjenjë përgjegjësie do të nxitojnë të ndihmojnë qeverinë".