Irani zbulon brezin e ri të raketave 'Mobin'
Irani ka zbuluar të hënën brezin e ri të raketave inteligjente Mobin, të aftë për të goditur objekte tokësore dhe detare në operacione precize.
Raketa Fateh-e Mobin u prezantua dhe hyri në linjën e prodhimit masiv të hënën në prani të ministrit iranian të Mbrojtjes, gjeneral brigade Amir Hatami. Raketa është e pajisur me një "kokë interceptuese" të avancuar, si dhe aftësi taktike dhe teknike për shmangien e radarëve. Gjeneral brigade Amir Hatami tha se forca mbrojtëse dhe raketore e Iranit ishte krejtësisht e natyrës parandaluese. "Sot, armiqtë janë të vetëdijshëm për fuqinë mbrojtëse të Iranit", tha ministri i Mbrojtjes, i cili përshëndeti suksesin e projektit tërësisht vendas të prodhimit të raketës Mobin. "Sa më intensive të jenë sanksionet, presionet, fushatat kërcënuese dhe luftërat psikologjike kundër kombit të madh të Iranit, aq më i madh do të bëhet vullneti ynë për të rritur fuqinë tonë mbrojtëse në të gjitha fushat", pohoi ministri iranian i Mbrojtjes.