Kina e vendosur për të zgjeruar marrëdhëniet me Iranin
Kina ka marrë vendim që të shtojë nivelin e marrëdhënieve të saj me Iranin.
Vang Ji ministër i jashtëm i Kinës ditën e premte në një bisedë telefonike me Muhamed Xhavad Zarif ka theksuar se Pekini i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të tij me Teheranin. Ministri i jashtëm i Kinës dhe ministri i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit kanë theksuar mbi nevojën e zgjerimit të bashkëpunimeve dypalëshe në fusha të ndryshme. Vang Ji në bisedën telefonike të zhvilluar me Muhamed Xhavad Zarif, duke folur për nevojën e zgjerimit të bashkëpunimeve dypalëshe midis Iranit dhe Kinë, ka thënë: Qasja e Iranit është për zgjerimin e marrëdhënieve me Kinën dhe të dyja vendet në bazë të rrethanave specifike, duhet të ndërmarrin hapa të mëdhenj në drejtim të forcimit të bashkëpunimit politik dhe parlamentar. Zarif duke falënderuar qeverinë kineze për bashkëpunimin e deritanishëm me Iranin posaçërisht në fushën e naftës, ka theksuar: Lufta ekonomike të cilën e ka filluar presidenti amerikan Donald Trump, padyshim do të jetë në dëm të SHBA. Ministri kinez nga ana e tij marrëdhëniet midis Iranit dhe Kinës i ka konsideruar tërësisht në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe ka shtuar: Kina kundërshton sanksionet e njëanshme të Amerikës dhe duke marrë përsipër përgjegjësitë e saj në rrafshin ndërkombëtar, do të vazhdojë bashkëpunimin e saj dypalësh me RII. Kina, konsumatori më i madh i naftës së Iranit, deklaroi se bashkëpunimi tregtar midis dy palëve nuk dëmton interesat e vendeve të tjera dhe si rrjedhim, duhet të mbrohet nga sanksionet e njëanshme të SHBA. Ministria e Jashtme e Kinës në një deklaratë të lëshuar të shtunën theksoi se lidhjet e biznesit të Pekinit me Teheranin janë "të arsyeshme" dhe nuk shkelin rezolutat e OKB-së. "Për një kohë të gjatë, Kina dhe Irani kanë pasur bashkëpunim të hapur, transparent dhe normal në fushën e biznesit, tregtisë dhe energjisë, i cili është i arsyeshëm, i drejtë dhe i ligjshëm", thuhet në deklaratë. Ministria e Jashtme kineze gjithashtu shprehu kundërshtimin e saj ndaj sanksioneve të njëanshme të SHBA duke thënë se sanksionet dhe kërcënimet nuk do të zgjidhnin çështjen e Iranit. "Vetëm dialogu dhe negociatat janë rruga e vërtetë për zgjidhjen e çështjes," vuri në dukje Ministria e Jashtme e Kinës. Kina blen pothuajse 650,000 fuçi naftë në ditë nga Irani që vlen rreth 15 miliardë dollarë në vit. Si partneri më i madh tregtar i Iranit, Kina ka kohë që po importon naftë iraniane dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë pavarësisht sanksioneve unilaterale të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, tha kreu i zyrës ndërkombëtare të Federatës së Naftës dhe Industrisë Kimike të Kinës (CPCIF) për Agjencinë e Lajmeve të Republikës Islamike (IRNA). "Kompanitë kineze kanë nevojë për naftën iraniane në çdo rrethanë dhe do të vazhdojnë ta blejnë atë", tha Andrey Yu duke shtuar: "Kina nuk i kushton vëmendje sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit; kjo është një rutinë midis Iranit dhe Kinës dhe nuk ka të bëjë fare me SHBA. Nafta, gazi dhe tregtia nuk duhet të ndikohen më nga Shtetet e Bashkuara". Ai tha se kompanitë kineze dhe ruse mund të mbushin boshllëkun e Totalit dhe kompanive të tjera evropiane dhe shtoi: "Irani ka qenë në gjendje të vazhdojë të përparojë në dekadat e kaluara pavarësisht sanksioneve". Duke theksuar se Irani dhe Kina mund të kenë lidhje më të ngushta, Yu tha: "Çfarëdo që bën SHBA, nuk mund të pengojë bashkëpunimin midis Iranit dhe Kinës".