Zarif: Bota kundër politikave amerikane
Bota ka rritur kundërshtimet efektive ndaj politikave amerikane, tha të shtunën ministri i jashtëm iranian.
Politikat dhe vendimet e SHBA kanë hasur me kundërshtim të fortë të vendeve në mbarë botën, tha të shtunën Mohamed Xhevad Zarif. Shumica e vendeve kanë shprehur kundërshtim ndaj masave të SHBA, veçanërisht në rastin e vendosjes së sanksioneve të njëanshme, vuri në dukje Zarif. Ai i përshkroi sanksionet anti-iraniane të SHBA si të paligjshme dhe kundër marrëveshjes bërthamore, e njohur gjithashtu si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA). Zarif tha se sanksionet anti-iraniane të SHBA shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ministri i jashtëm i RII tha se qasja e Uashingtonit ndaj traktateve ndërkombëtare në lidhje me detyrimet e tij rrezikon seriozisht rendin botëror. Ai vlerësoi një deklaratë të kohëve të fundit nga vendet e BE-së, e cila nënvizon vazhdimin e bashkëpunimit me Iranin pavarësisht sanksioneve. Presidenti i SHBA Donald Trump njoftoi në fillim të majit se Uashingtoni do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe do të rivendosë sanksionet të cilat u hoqën sipas marrëveshjes. Kjo është ndërsa nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes (Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia) kanë kritikuar deri tani veprimin e njëanshëm të Uashingtonit dhe kanë theksuar vazhdimisht angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes bërthamore.